Wednesday , January 20 2021

Zyra e Kryeministrit: Mustafa u prit nga presidenti Barack Obama (VIDEO)

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës në Nju Jork, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, për liderët botërorë që ndodhen në Nju Jork, me rastin e zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, njofton Zyra e Kryeministrit.

“Kryeministri Mustafa u prit nga Presidenti Obama dhe Zonja e Parë Michelle Obama, të cilët i falënderoi përzemërsisht për përkrahjen që SHBA-të po japin në vazhdimësi për Kosovën.”

Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, gjatë kësaj pritjeje të posaçme u takua me personalitete të shumta të pranishme, si me kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, me Presidentin e Polonisë, të Hungarisë, sekretarin e NATO-së e shumë  liderë të tjerë ndërkombëtarë.

Ndërkaq, gjatë ditës, Mustafa, ka zhvilluar takime me kryeministrin e Luksemburgut, Havier Bettel, të cilin e ka informuar për zhvillimet në Kosovë, duke kërkuar përkrahje për proceset integruese evropiane.

E në selinë e Kombeve të Bashkuara, ai ka takuar Mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II Ibn Al Hussein, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme. Mbreti Abdullah theksoi përkrahjen e mëtejme për Republikën e Kosovës.

Gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Borge Brende, u bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe për përkrahjen e Norvegjisë për rrugën eurointegruese të Kosovës.

“Një takim të veçantë, kryeministri Isa Mustafa e zhvilloi me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), Iyad bin Amin Madani, i cili shprehu përkushtimin e tij për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.”

“Kryeministri Mustafa, po ashtu, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Javës së Filmit Shqiptar, e cila u zhvillua në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork”, përfundon komunikata.

Në fotografitë e dërguara nga Zyra e Kryeministrit në asnjërën prej tyre, nuk shihet presidenti i ShBA-së, Barack Obama, pavarësisht se në komunikatë thuhet se Mustafa është pritur nga ai dhe Zonja e Parë e Amerikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *