Zv.ministri i BDI-së “lufton” në mbrojtje të buxhetit të VMRO-së (video)

“Amendamenti nuk pranohet”, këto ishin fjalët e vetme të zëvendësministrit të Financave nga radhët e BDI-së, Gzim Beadini, të cilat i përsëriti me dhjetëra herë sot në seancën e Komisionit për financa dhe Buxhet, ku diskutohen 320 amendamentet e PDSH-së, të dorëzuara në Rishikimin e Buxhetit të Qeverisë për vitin 2016. Duke përsëritur këtë frazë, Beadini refuzoi amendamentet e opozitës për projektet shqiptare që po zvarriten vite me radhë, si ujësjellësi, biblioteka dhe teatri në Tetovë, kanali i Haraçinës, sheshi Skënderbeu dhe projekte të tjera elementare për shqiptarët. Deputeti Ernad Fejzullau akuzon se gjendja e mjerueshme e vendbanimeve shqiptare bëhet me qëllim që banorët shqiptar të getoizohen.

“Amendamenti nuk pranohet do të thotë shiqptarët duhet të dënohen, amendamenti nuk pranohet do të thotë shqiptarët mos kenë ujë për pije, amendamenti nuk pranohet do të thotë shqiptarët duhet të jetojnë në qytete me deponi, amendamenti nuk pranohet do të thotë shqiptarët e Çairit të jetojnë në këto kushte që nuk ka as në Afrik”, tha deputeti i PDSH-së, Ernad Fejzullahu.
Ai gjithashtu tha se BDI pranon vetëm amendamente të propozuara nga VMRO-DPMNE.

“Amendamenti pranohet për Shkupin 2014, amendamenti pranohet për hidrosisteme në Maqedoninë lindore, amendamenti pranohet për teleferikun te kryqi, amendamenti pranohet për Makedonsko sello. Ky është roli juaj, mir që na erdhët sot që qytetarët ta kenë parasysh se me kë kemi të bëjmë. Kemi të bëjmë me një garniturë që nuk ka lidhje me një legjitimitet dhe me përfaqësues të shqiptarëve”, u shpreh Fejzullahu.

Sipas deputetëve të PDSH-së, ata kanë dorëzuar amendamente me të cilat nuk kërkohet mirëqenia e shqiptarëve por ekzistenca e tyre. Deputetët e BDI-së edhe pse ishin në sallë, nuk iu kundërpërgjigjën akuzave ndaj tyre, ndërsa të vetme ishin fjalët vetëm të zëvendkryeministrit nga radhët e BDI-së, Gzim Beadini./Shenja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *