Friday , December 14 2018

Zonja Mogherini, ju lutem shkoni në shtëpi!

Nga Elida Buçpapaj

Qeveria e Kosovës të mërkurën vendosi masa mbrojtëse prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala e mbështeti menjëherë Kryeministri Ramush Haradinaj.

Po ashtu i menjëhershëm ishte reagimi nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini që kërkoi tërheqjen e menjëhershme e kësaj takse. Mogherini tha se “Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja për 100 për qind është shkelje e pastër e CEFTA-s dhe frymës së Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.” Ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nga ana e tij, nënvizoi se për “Një kohë të gjatë Kosova është penguar në transport se CEFTA nuk ka fuksionuar në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Vendimi i qeverisë së Kosovës erdhi një ditë pasi Serbia festoi triumfuese fitoren që kishte arritur lobimi i saj diplomatik për mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ku kanë votuar kundër edhe të paktën tre shtete anëtare të BE-së!

Shefja e diplomacisë së BE-së nuk shprehu asnjë lloj qendrimi kur Kosova, për shkak të ndërhyrjeve të Serbisë, humbi për të tretën herë mundësinë e anëtarësimit në INTERPOL. Ndërsa reagoi sa hap e mbyll sytë kur iu cënuan interesat ekonomike të Serbisë.

Zonja Mogherini, ju i trajtoni serbët si bijtë tuaj të privilegjuar, ndërsa si njerkë shqiptarët, kur do të duhej të ishit Nënë e mirë edhe për serbët edhe për shqiptarët, në të mirë të gjeneratave të reja dhe të integrimit të Kosovës e Serbisë në BE!

Ju jeni një njerkë si tek përralla e Hirushes – Cinderella – apo si Madam Thénardier tek romani Të mjerët e Victor Hygoit!

Kam shkruar përpara disa vitesh se Kosova është si geto në zemër të Europës, sepse ka mbetur e braktisur nga BE-ja, e mashtruar, e nëpërkëmbur, e trajtuar si shtet i dorës së dytë apo të tretë si ato plaçkat që shiten lirë në treg! Ju kujtoj se Srebrenica ka ndodhur nën hundët e indiferencës së zyrtarëve të lartë të llojit tuaj, që nuk meritojnë kurrësesi të jenë në krye të BE-së!

Jeni një burokrate me zemër të akullt, paçka se keni lindur në një vend me plot diell që është pjesë e NATO-s dhe Perëndimit, që ka marrë vendimet deçizive për Kosovën e të ardhmen e saj e rajonit, që padyshim nuk janë zvarritja dhe tërheqja zvarrë e proceseve.

Ju mbani qendrime favorizuese ndaj njërës palë dhe diskriminuese ndaj palës tjetër, pa marrë parasysh se Kosova është shteti viktimë; ju vononi integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE, sepse ushqeni iluzionet mitomane serbe për aneksim të Kosovës që e kallën rajonin në flakë .

Duke vepruar kësisoj, me papërgjegjshmëri për rolin që keni, sikur thotë Ilir Deda, deputeti i Parlamentit të Kosovës, ju e keni humbur krejtësisht kredibilitetin tek institucionet dhe tek Populli i Kosovës! Ja si shkruan deputeti Ilir Deda për ju: “Mogherini kërkon heqjen e menjëhershme të taksës ndaj Serbisë dhe thotë që është në kundërshtim me “frymën” e MSA-së? Eh po ne, dhe jo vetëm ne në Kosovë, qe 5 muaj po kërkojmë që Mogherini të prononcohet kundër ndarjes së Kosovës; të reagojë kundër Serbisë që po punon në mënyrë agresive kundër Kosovës duke e shkelur “frymën” e normalizimit të marrëdhënieve; dhe po, po kërkojmë që BE t’i përmbushë obligimet e saj ndaj Kosovës. Çuditërisht ajo vetëm ka heshtë, mos të them që i ka injoruar këto kërkesa. Kështu e ke kur Mogherini e humbë kredibilitetin”, ka thënë Deda.”

Pa kredibilitet nuk mund të qendroni në postin e Përfaqësueses të Lartë të BE-së!

Sepse keni përfituar vetëm të mirat dhe privilegjet e postit, pa përmbushur detyrimet!

Nuk e keni prishur asnjëherë gjumin për hallet dhe problemet që e shqetësojnë popullin e Kosovës, ndërkohë që hidheni si shigjetë kur Qeveria e Kosovës ndërmer një veprim reaksion – ndaj armiqësisë që tregon hapur qeveria e Serbisë e cila kurorëzoi me shampanjë lobimin e saj për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Sepse ju e dini se – Ad ogni azione corrisponde una reazione uguale e contraria – ! Pa mendoni sikur ju të mendonit për të mirën shqiptaro-serbe, që të festonin me shampanjë edhe njëra palë dhe tjetra njëherësh!

Ku ishit ju Përfaqësuese e Lartë e BE-së që drejtoni dialogun më absurd në botë, kur i kërkoni vetëm njërës palë të përmbushë detyrime, ndërsa palën tjetër e mbështesni kur i shkel detyrimet më sinjifikative të fqinjësisë të mirë midis dy vendeve!

Si qendroni ju indiferente ndaj lobimit që bëri Serbia për mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në INTERPOL?

E dini ju se çfarë do të thotë dialog? E dini ju se dialogu vendoset mbi themelet e barazisë, reciprocitetit dhe interesit bilataral në respekt të integritetit territorial të seicilit vend! Si mund të ketë dialog kur Serbia lobon kundër shtetit të Kosoves, pavarësia e të cilit u vendos nga Perëndimi që e ka njohur Kosovën shtet, pas një konflikti të egër me viktima të pafajshme, që detyroi një milionë shqiptarë të largohen nga banesat e tyre dhe që përfundoi vetëm me ndërhyrjen e trupave të Aleancës Verio-Atlantike.

Si mund të ketë dialog kur Serbia lobon që shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës të heqin dorë nga kjo njohje?!

A nuk e kuptoni se ky është një proces prapaktheu?

A nuk e kuptoni që ky proces i kthen shqiptarët dhe serbët drejt konfliktit?

Natyrisht që e kuptoni se nuk jani as injorante dhe as analfabete! Jeni vetëm e njëanëshme, në kundërshtim me parimet themelore të humanizmit europian ku mbështetet liria dhe demokracia! Prandaj nuk e meritoni të jeni kryediplomate e BE!

Zonja Përfaqësuese Lartë e BE-së ka ardhur koha të shkoni në shtëpi sepse qendrimet tuaja nuk janë të pavarura ndaj palëve; nuk janë në të mirë të paqes dhe stabilitetit afatgjatë të rajonit; nuk janë në të mirë të pajtimit dhe bashkekzistencës rajonale dhe as të integrimeve të shteteve të Serbisë e Kosovës në BE!

Dialogut bizar që drejtoni ju i kam dedikuar edhe një poezi:

Antidialog

Poezi nga Elida Buçpapaj

Dialog në erë
dialog në ferr
arbitri dirigjon
në Bruksel

ti dhe viktima
sy për sy
në hije dhe diell

dialog në erë
dialog në terr
arbitri dirigjon
në Bruksel

dialog në log
dhëmb për dhëmb
që urat shemb

dialog i qorrtë
dialog i lodhtë
dialog i ngordhtë

ti me dhëmbë çeliku
të implantum
viktima
me dhëmbë
të thymë, të coptum

dialog në terr
viktima në hell
arbitri dirigjon
në Bruksel

viktima vikat
ka hak
ti veshët
me dyll i mbush
Brukseli hepohet
pro teje për fushë

vikama e viktimës
shpirtin përtej e shpon
Brukseli baketën
e dirigjentit
e hedh në hon

edhe pastaj gjithë ovacion
këlthet
rrofte dialogu
dialogu asht mbret!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.