Monday , April 19 2021

Zgjedhjet e 11 dhjetorit: Ja qëndrimet e partive jashtëparlamentare

Partitë jashtëparlamentare shqiptare në qëndrimet e tyre dhënë për zgjedhjet e 11 dhjetorit, shprehen të gatshme për zgjedhje dhe zotohen se do t’i japin fund qeverisjes së keqe, raporton Portalb.mk.

Duke ia bërë me dije opinionit manipulimet e Qeverisë në ikje, ato sigurojnë se tani është momenti për të ndryshuar elitën aktuale politike.

Sipas Muhamed Ismailit, sekretarit gjeneral të partisë Unitetit, Maqedonia pothuajse një dekadë ka devijuar plotësisht nga rruga demokratike e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike, ngritjen e standardit të jetës, sundimin e së drejtës, respektimin e lirive dhe barazive të njeriut.

“Zgjedhjet e 11 dhjetorit, edhe pse do të mbahen në kushte ku: kriminelët e ulur në kolltuqe shtetërore nuk janë gjykuar; administrata dhe mediumet janë plotësisht të partizuara; lista zgjedhore e manipuluar; zona zgjedhore të pabalansuara, Komision Shtetëror Zgjedhor partiak, si dhe shumë anomali të tjera, paraqesin shansin e vetëm për të ndryshuar gjendjen e rëndë në të cilën u gjet vendi ynë dhe në veçanti shqiptarët”, tha Ismaili për Portalb.

Ismaili potencon se UNITETI, për sa kohë është në skenën politike, ka bërë angazhim maksimal për t’u ofruar shqiptarëve dhe jo vetëm, alternativën më të mirë për të dalur nga ky hendek, duke përgatitur program dhe platformë që janë vazhdim i përcaktimeve të shqiptarëve qysh në luftën e vitit 2001, me çka shqiptarët dhe maqedonasit do të jenë të barabartë në të gjitha fushat, si dhe duke përzgjedhur bartës të këtij procesi me bagazh kombëtar dhe profesional, por pa hipoteka në të kaluarën e tyre.

“UNITETI po angazhohet që zgjedhjet parlamentare që po afrohen, të jenë kthesa që do rikthejë shpresën dhe dinjitetin e shqiptarëve, por edhe shpresën e të rinjve tanë për një ardhmëri europiane në vendlindjen e tyre”, përfundoi ai.

Nga Lëvizja Besa kujtojnë se të gjithë e dimë që zgjedhjet për këtë pushtet nënkuptojnë trysni, hile, keqpërdorime, abuzim me paratë e qytetarëve dhe shumë tjera. Sipas tyre, kështu i shohin edhe zgjedhjet e 11 dhjetorit dhe do bëjnë çmos që edhe këto zgjedhje mos të dallojnë nga të tjerat, duke mos qenë kështu as për së afërmi fer, të lira dhe demokratike.

LEXO:  Banka Popullore e Maqedonisë sot shënon 70 vjetorin e themelimit

“Shpërbërja e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, megjithëse është lajm i keq për procesin zgjedhor që vijon dhe për vlerat demokratike, është edhe një lajm i mirë, sepse kështu përfundimisht po krijohet mundësia që qytetari, me dorën e tij, ta vulosë këtë pushtet antidemokratik, antishtetëror dhe antishqiptar. Pas shumë vendimeve skandaloze dhe antishqiptare, që i ka marrë ky Parlament, ai edhe dje vazhdoi me avazin e njëjtë, duke miratuar buxhet pa asnjë debat parlamentar, duke mos e zgjidhur problemin e njësisë numër 6, që e shkel Kodin Zgjedhor dhe i bën zgjedhjet të kontestueshme si dhe duke mos ia zgjatur mandatin Prokurorisë Speciale Publike. Me këtë edhe një herë dëshmoi se kjo ka qenë përbërja më e dëmshme parlamentare në historinë e këtij kuvendi. Megjithatë, në këtë fatkeqësi është edhe një fat: më në fund kjo përbërje parlamentare nuk do të mund të marrë vendime në dëm të qytetarëve dhe të shqiptarëve dhe më në fund qytetarët e Maqedonisë, veçmas shqiptarët, do të kenë mundësi ta ndëshkojnë punën e këtyre deputetëve të papërgjegjshëm”, deklaroi për Portalb zëdhënësi i Lëvizjes Besa Faton Fazliu.

Ai u zotua se në Parlamentin e ardhshëm do të dëgjohet fuqishëm zëri i Lëvizjes BESA.

“Vetëm ME BESË shqiptarët mund të pretendojnë që statusi i tyre në Maqedoni të RIDEFINOHET, të pengohet diskriminimi ndaj tyre dhe të rritet mirëqenia e tyre dhe e familjeve të tyre duke e ndalë kështu emigrimin masiv të të rinjve dhe familjeve shqiptare për ta siguruar kafshatën e gojës”, përfundoi Fazliu.

Nga LR-PDSH vlerësojnë se shpërbërja e kësaj garniture qeveritare është nevojë e domosdoshme për zhbërjen e kësaj politike të mbrapsht.

“Një kohë të gjatë ky konstelacion forcash mbante pezull dhe mos realizimin e interesave shqiptare, procesin integrues të vendit, sundimin e shtetit ligjor, luftën ndaj korrupsionit, zhvillimin ekonomik, arsimin, etj. Viteve të fundit, Parlamenti i RM-së ka miratuar qindra ligje në dëm të shqiptarëve, ndërsa nga ana tjetër, ka munguar zëri mbrojtës i tyre për shkak të hipotekave, dhe kjo situatë duhej të ketë një fund. Megjithëse, shpërbërja e Parlamentit përcillet me mangësi të theksuara në proces, Zgjedhjet janë një mundësi e madhe që pas 11 Dhjetorit shqiptarët të kenë përfaqësues legjitim dhe artikulues të drejt të interesave shqiptare, të cilët njëkohësisht do të jenë të harmonizuar dhe mbështetës real të faktorit ndërkombëtar. Aktualisht, partitë shqiptare janë partner të krimit dhe korrupsionit dhe jo të interesave shqiptare apo faktorit ndërkombëtar”, thonë nga LR-PDSH për Portalb.

LEXO:  Jovan Ilievski: Nuk dua të më trajtojnë si baxhanaku i Mijallkovit

Rilindja Demokratike Kombëtare kujton se në kontinuitet ka theksuar se zgjedhjet nuk janë zgjidhje për krizën politike në vend.

“Ne vazhdojmë edhe më tutje të mbajnë të njëjtin qëndrim. Zgjidhja e krizës është direkt e lidhur me sundimin e ligjit, fuqizimin e institucioneve të vendit, dhënia e llogarisë për veprimin politik të deritanishëm, dhe obstruksionet për arritjen e këtyre lëvizjeve mund të shkaktojnë tronditje me pasoja direkte për zgjedhjet e 11 dhjetorit. Në Maqedoni ndodhin lojëra të jashtëzakonshme dhe nuk përjashtohet mundësia për lojëra në mes katër partive më të mëdha politike në vend në lidhje me zgjedhjet e 11 dhjetorit. Aleanca për shqiptarët do të marr pjesë në zgjedhje dhe do të luaj një rol të rëndësishëm në zgjedhje dhe në skenën politike në vend”, potencojnë nga RDK për Portalb.

Partia për Prosperitet Demokratik zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016 i sheh si një hap i parë drejt zgjidhjes së krizës së rëndë politike dhe ekonomike që një kohë tepër të gjatë e rëndon vendin dhe ka shkaktuar varfëri të paparë tek popullata në përgjithësi dhe te ajo shqiptare në veçanti.

PPD konstaton se në këto zgjedhje shqiptarët hyjnë të diskriminuar më tepër se asnjëherë: mbi 30 mijë shqiptarë të fshirë në mënyrë antikushtetuese nga listat zgjedhore, mbi 30 mijë shqiptarë tepricë në Njësinë zgjedhore 6 dhe mbi 30 mijë maqedonas e të tjerë më pak në Njësinë zgjedhore numër 3 dhe një listë e posaçme zgjedhore prej 170 mijë “gastarbajter-ve” me shumicë absolute shqiptare. Gjithë kjo na vë në dije se numri i deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë(edhe ashtu jo proporcional!) do të zvogëlohet në mënyrë drastike;  gjithë kjo është si rezultat i vmroizimit të politikës shqiptare në Maqedoni”, thuhet në qëndrimin e PPD-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *