Wednesday , August 4 2021

Zgjedhje konkurruese, por nevojiten reforma të qëndrueshme

Vëzhguesit ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit në Maqedoni deklaruan se “këto zgjedhje ishin konkurruese dhe një hap thelbësor në zgjedhjen e krizës së thellë politike dyvjeçare”. Ata theksuan se u zhvilluan në një mjedis të karakterizuar me mosbesim të përhapur publik në institucionet dhe sistemin politik, transmeton Fakte.

Vëzhguesit ndërkombëtar thonë se zgjedhjet konkurruese ndjekin bashkëpunim ndërpartiak për t’i dhënë fund krizës politike, megjithëse nevojat për reforma të qëndrueshme mbeten.

Koordinatori special dhe kryesuesi i misionit vëzhgues afatshkurtër të OSBE-së, Roberto Battelli, tha se pjesëmarrja e lartë dëshmon se votuesit e kuptuan rolin vendimtarë që e ndërmarrin zgjedhjet e lira për të ardhmen e vendit të tyre.

“Establishmeti politik tani ka përgjegjësi për t’i plotësuar këto pritje. Ata duhet të shfrytëzojnë këtë moment dhe mandatin që iu është dhënë për të vazhduar me reformat e nevojshme për ardhmërinë e vendit”, tha Battelli.

Nga ana tjetër, shef i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Stefan Schenach, tha se vendi është në një udhëkryq të ri, i cili hap një rrugë drejt normalitetit në jetën politike. Ai shtoi se tani të gjitha palët duhet të dëshmojnë angazhimin e tyre për të drejtuar vendin në atë rrugë.

“Komunitetet e ndryshme etnike tanimë dhanë provë, gjatë protestave të verës së kaluar, se bashkëpunimi drejt qëllimit të përbashkët politik është i mundur. Tani, tërë vendi duhet të zëvendësojë ndarjen etnike me bashkëpunim për ndërtim të kombit”, deklaroi Schenach.

Schenach duke theksuar se përderisa liritë u respektuan në përgjithësi dhe garuesit ishin në gjendje të bënin fushatë të lirë, shtoi se pati akuza për frikësim të votuesve dhe presion të gjerë mbi punëtorët publik, të verifikuara nga vëzhguesit në dhjetëra raste.

Ndërkaq, shefe e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR-it, Tana de Zulueta, tha se ngjarjet që drejtuan këto zgjedhje kërkonin bashkëpunim ndërpartiak për të gjetur mekanizma të përkohshme për trajtim të çështjeve tejet të rëndësishme. Ajo shtoi se si rezultat, procesi u përmirësua, veçanërisht sa i përket mediave dhe kornizës ligjore.

“Që këto përmirësime të jenë të qëndrueshme, do të jetë e domosdoshme që të adresohen mangësitë themelore. Kjo do të kërkojë bashkëpunimin e mëtejshëm dhe angazhimin për reforma sistematike dhe që është edhe me rëndësi, përpjekje gjithëpërfshirëse për reforma zgjedhore”, u shpreh Zulueta.

Në deklaratën e rezultateve dhe konkluzioneve paraprake të Misionit Ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve, thuhet se dita e zgjedhjeve u administrua mirë në përgjithësi dhe u zhvillua pa incidente të mëdha.

Në këtë raport paraprak theksohet se përderisa fuqitë kryesore politike u dakorduan për një seri të ndryshimeve ligjore dhe institucionale për të siguruar një fushë lojë të niveluar, çështjet themelore të tilla si në lidhje me mediat dhe regjistrimin e votuesve duhet ende të trajtohen në mënyrë të qëndrueshme.

“Përmirësimet e rëndësishme në legjislacionin zgjedhor trajtuan shumicën e rekomandimeve të mëparshme nga ODIHR dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, si dhe paraqitën mekanizma të përkohshme për mbikëqyrjen ndërpartiake të aspekteve kryesore të procesit zgjedhor. Megjithatë, disa rekomandime mbeten të patrajtuara dhe ca dispozita janë të paqarta”, thuhet në raportin paraprak.

Në raport poashtu përmendet se mjedisi i shumëllojshëm mediatik, është i ndarë përgjatë linjave politike dhe etnike. “Megjithëse mediat publike kryesisht ju ofruan garuesve mbulim të barabartë në lajme, disa media private demonstruan njëanshmëri në favor të partisë në pushtet. Reformat e rëndësishme të parapara për mediat kanë ende për t’u zbatuar”, porositin vëzhguesit ndërkombëtar.

Në lidhje me punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), në raport thuhet se përgatitjet e këtij institucioni ishin të penguara nga organizimi joefikas i brendshëm, vendimmarrja e politizuar dhe afateve të shkurtuara ligjore. Sipas tyre, aktivitetet e komisionit nuk ishin gjithmonë transparente, pasi që shpeshherë mbante seanca të mbyllura dhe jo gjithmonë publikonte vendimet.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) nga votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas 99.72 për qind të votave të numëruara në 3.514 vendvotime nga gjithsej 3.524, VMRO-DPMNE dhe Koalicioni për Maqedoni më të mirë ka fituar 452.709 vota (38.06%) LSDM dhe Koalicioni 436.469 (36.69%), BDI 86.812 (7.3%), Lëvizja BESA 57.927 (4.87%), Aleanca për shqiptarët 35.091 (2.95%) dhe PDSH 31.017 (2.61%) vota.

Siç informoi kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski, në konferencën për shtyp herët në mëngjes, deri në orën tre të mëngjesit nuk ka arritur asnjë ankesë lidhur me votimin e djeshëm në zgjedhje./AA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *