Saturday , June 19 2021

Zëvendëspresidenti i SHBA-së takoi krerët e BE-së

Pence ka thënë se duhet të thellohet edhe më shumë bashkëpunimi SHBA-BE

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pence, deklaroi sot në Bruksel se synon të gjejë rrugë për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Bashkimit Evropian, si dhe me komunitetin evropian në tërësi. Pens u takua me përfaqësuesen e lartë të unionit për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, e më pas edhe me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, si dhe me Presidentin e Komisionit të Evropës, Zhan Klod Junker.

Pas takimeve me zyrtarët më të lartë të unionit, Pence u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenbergun, shkruan rtv21.tv

Me vizitën në Bruksel, Pence i dha fund vizitës në Evropë, gjatë së cilës tentoi të bindë aleatët evropianë se vendi i tij do të mbështetë fuqishëm NATO-n dhe do të kërkoi nga Rusia që të respektojë obligimet e mara për ti dhënë fund konfliktit në Ukrainë. Pas takimit me Pencen, Mogerini tha se amerikanët dhe evropianët kanë shumë punë për të bërë, për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe shtoi se diskutimet për këtë tashmë kanë filluar.

Gjatë takimit që pati me Tuskun, Pence tha se presidenti amerikan, Donald Trump, është tejet i përkushtuar sa i përket bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, me ç’rast tha se për të është privilegj që në emër të Trumpit të shpreh përkushtimin e Uashingtonit për vazhdimin e bashkëpunimit dhe të partneritetit me Bashkimin Evropian.

Tusk tha se Bashkimi Evropian llogarit në marrjen e “mbështetjes së sigurt dhe të përzemërt” nga administrata e presidentit Trump, duke shtuar se ai llogarit, sikurse gjithmonë, në mbështetjen e Uashingtonit për idenë e një Evrope të bashkuar.

Pence nga ana e tij tha se Uashingtoni do të vazhdojë mbështetjen në përgjigje të, siç u shpreh, përpjekjeve të Rusisë për të ndryshuar kufijtë ndërkombëtarë me forcë. Ai gjithashtu shtoi se SHBA-ja do të mbështesë përpjekjet e NATO-s për mbrojtjen e Polonisë dhe vendeve të Baltikut. Sa i përket Ukrainës, Pence tha se Uashingtoni do të vazhdojë ta mbajë Rusinë përgjegjëse dhe të kërkojë nga Moska që të respektojë marrëveshjen e Minskut për ndërprerjen e dhunës në lindje të Ukrainës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *