Saturday , November 17 2018

Zaev: Ndryshimet kushtetuese do t’i tregojmë pas referendumit

Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se menjëherë pas referendumit të 30 shtatorit do të nisin përgatitjet për ndryshimetkushtetuese, ku do të figurojë edhe emri i ri i shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut.

Sipas të parit të organit ekzekutiv, ndryshime do të ketë edhe në preambulë. Zaev vlerëson se tani nuk është ambienti për t’i shpalosur amendamentet për shkak se të njëjtit mund të ndikojnë ndaj procesit të referendumit, percjell Fakte.

Ndryshime do të ketë në nenin 3, 49 dhe në preambulë. Në preambulë parashikohen vetëm përforcimet e vendimeve të ASNOM-it, si vendime për liri, demokraci, unitet i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Çdo kund ku shkruan Republika e Maqedonisë do të bëhet Republika e Maqedonisë së Veriut. Gjithkund ku shkruan maqedonase do të mbetet e tillë por edhe shqiptare, turke, rome etj. Ndryshimet janë shumë logjike- deklaroi Zoran Zaev.

Për miratimin e të gjitha ndryshimeve nevojiten mbi 100 ditë.

Sapo të përfundojë referendumi dhe të shpallen rezultatet, komisionet parlamentare menjëherë do t’i publikojnë ndryshimet Kushtetuese. E dini se fillimisht votohet me 2/3, pastaj ka debat 30 ditorë. Përsëri votim me shumë të thjeshtë, përsëri debat dhe në fund votohet përsëri me 2/3.

Sipas parashikimeve tona do të duhen diku rreth 106 ditë.

Ky është procesi që e presim pas referendumit dhe sigurisht në fund votimi në Parlamentin grek i cili për mua dëshmon punë të garantuar nga Greqia dhe si përfundim zbatim të marrëveshjes miqësore që e kemi arritur- shtoi Zaev.

Përndryshe, më 10 shtator zyrtarisht filloi fushata për referendumin, bartës i të cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.

Në fushatën e Kuvendit do të kyçen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, referendumi do të mbahet më 30 shtator, ku qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”./AlsatM

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.