Wednesday , August 4 2021

Zaev fton partitë shqiptare për të formuar qeverinë pa VMRO-DPMNE-në

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev i ka bërë thirrje të gjitha partive politike shqiptare, që fituan mandate në zgjedhjet e së dielës, që t’i bashkohen partisë së tij për formimin e qeverisë së re dhe ta refuzojnë Nikolla Gruevskin. “Regjimi nuk guxon të formojë qeverinë e Maqedonisë. Të gjitha partitë, përveç VMRO DPMNE-në nuk duhet të mendojnë për të shkelur vullnetin e shprehur në zgjedhje për formimin e qeverisë në koalicion me Nikolla Gruevskin. Rezultatet e para kanë hutuar qytetarët. Rezultatet zyrtare ende nuk kanë dalë. Nëse korrigjohen një pjesë e numrave, LSDM do të ketë më shumë mandate në njësinë e gjashtë zgjedhore dhe me këtë rezultati do të jetë 50 me 50 në deputetë”, ka deklaruar Zaev në paraqitjen e parë pas publikimit të rezultateve të para nga KSHZ-ja sipas të cilave VMRO-ja e Gruevskit ka fituar dy mandate më shumë se partia që drejtohet prej tij, LSDM. Ai tha se në zgjedhjet e së dielës kishte një fitore historike nga ana e qytetarëve të Maqedonisë, që nuk guxon sipas tij, në asnjë mënyrë të shuhet. “Së bashku rrëzuan regjimin, qytetarët zgjodhën jetën në Maqedoni. Dua ta respektoni vullnetin e qytetarëve. Shumica e qytetarëve votuan për ndryshime. Arritëm të bashkojmë Maqedoninë etnike”, tha Zaev duke iu referuar votimeve ku shumë shqiptarë dhe pjesëtarët të bashkësive tjera etnike votuan për partinë e tij. Formimi i qeverisë së re është në duart e partive shqiptare pasi as VMRO-ja e as LSDM-ja nuk do të jenë në gjendje të formojnë qeverinë e re. Partitë shqiptare kanë fituar 20 mandate; 10 BDI-ja, 5 Lëvizja BESA, 3 Aleanca për Shqiptarët dhe 2 PDSH-ja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *