Thursday , December 13 2018

Zaev: Çështja në Kuvend ose në zgjedhje të parakohshme

Një orë pas mbylljes së pikave të votimit ka ardhur reagimi i kryeministrit Zoran Zaev, i cili e ka cilësuar referendumin “të suksesshëm”, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët. Duke theksuar se respekton tërësisht vullnetin e qytetarëve, Zaev ka nënvizuar se çështja do t’i kalojë Kuvendit, percjell Fakte.

“Dhe nëse Kuvendi nuk e zgjidh, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka paralajmëruar kryeministri.

Paralelisht, një grup qytetarësh janë mbledhur para selisë së Kuvendit për të protestuar kundër marrëveshjes me Greqinë, e nënshkruar në muajin Qershor në Prespë.

Përmes një podiumi të vendosur përpara hyrjes së Parlamentit, qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Zaev. Për të parandaluar një përshkallëzim eventual të situatës, një kordon me agjentë policie është vendosur përpara hyrjes së godinës.

Referendumi për çështjen e emrit dhe anëtarësimin në NATO në Maqedoni është karakterizuar nga një pjesëmarrje relativisht e ulët.

Qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19:00 të së dielës dhe deri gjysmë ore më parë, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja ishte mbi 34 për qind, kuotë që e përkthyer në shifra i bie 589 mijë e 637 qytetarë nga mbi 1 milion e 800 mijë me të drejtë vote.

Procesi është zhvilluar nën monitorimin e 12 mijë vëzhguesve vendas dhe 493 të huaj dhe gjatë tij janë regjistruar rreth 20 incidente, të cilat gjithësesi nuk kanë ndikuar në ecurinë e votimeve.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se shumica e incidentëve u verifikuan gjatë paradites, ndërsa 6 prej tyre në orët e pasdites./abcnews.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.