Tuesday , June 18 2019

Veseli: Taksa të pezullohet për 120 ditë

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka propozuar që taksa ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës e Hercegovinës të pezullohet me kushte për 120 ditë.

Kjo ka thënë se duhet të bëhet si mirëbesim ndaj SHBA-së dhe BE-së, percjell Fakte.

Ai ka thënë se propozimin e ka bërë në takimin e javës së shkuar me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Sot kam takuar Ambasadorin e SHBA-ve në Prishtinë, Philip Kosnett. E vlerësoj dhe e falënderoj edhe një herë publikisht qëndrimin amerikan në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës dhe perspektivës euroatlantike të vendit tonë. Pa dyshim, SHBA-të mbeten partneri ynë më strategjik dhe miku më i madh i Kosovës në të gjitha fazat dhe proceset e lirisë dhe shtetndërtimit. Dua ta bëj të qartë se përkushtimet e SHBA-ve për zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, për orientimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe për paqen e qëndrueshme ne rajon, përmes Dialogut dhe fqinjësisë së mirë, janë edhe interesa vitale të vetë shtetit tonë. Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-të e as me BE-në. Përkundrazi! Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnereve tonë kryesorë strategjikë si SHBA dhe BE nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike”, ka shkruar ai.

Duke e quajtur të drejtë vendimin për taksën, Veseli ka thënë se ky nuk ka qenë vendim kundër aleatëve të Kosovës.

“Republika e Kosovës, që disa muaj, ka vendosur taksën doganore prej 100% për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Taksa është vendosur si kundërpërgjigje ndaj agresivitetit politik dhe diplomatik të këtyre dy shteteve kundër shtetit, qytetarëve dhe mallrave tona. Ky është një vendim legjitim, i drejtë, i duhur dhe i imponuar ndaj institucioneve tona që po përballen me këtë agresion, prandaj edhe do të qëndrojë në fuqi për aq kohë sa këto shtete do të kenë një politikë të tillë kundër shtetit tonë. Taksa asnjëherë nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë orientim kundër aleatëve tanë kryesorë, SHBA-ve dhe BE-së, e as kundër interesave të tyre strategjike në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.

Sipas Veselit, qëllimi i takimit të javës së shkuar ka qenë për afrim me SHBA-në dhe jo për largim. Duke komentuar deklaratën e fundit të Ambasadës së Amerikës në Prishtinë dhe letrën e presidentit Donald Trump, Veseli ka thënë se Kosova u përgjigjet në mënyrë konstruktive.

“Në takimin e javës së kaluar kam dhënë një propozim konkret, të cilit i qëndroj deri në fund. Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende”, ka shkruar më tej ai duke e quajtur “vendim të arsyeshëm, që e ruan dinjitetin e vendit, afirmon legjitimitetin e vendimit për taksën 100%, por edhe balancon interesin shumë strategjik të Kosovës, duke ruajtur dhe intensifikuar raportet me partnerët tanë kryesorë, SHBA-të dhe BE-në”.

Qëndrimi im është që taksa duhet të mbetet si vendim i drejtë i Republikës së Kosovës, por pezullimi i përkohshëm, me kohëzgjatje prej vetëm 120 ditësh, duhet të ndodhë si masë mirëbesimi ndaj SHBA-ve dhe BE-së, edhe për këto arsye:

1. Kosova tregon përkushtimin e vet të palëkundur ndaj SHBA-ve dhe BE-së, si dhe ndaj prioriteteve të vëna për Ballkanin Perëndimor, të cilave ju besojmë edhe ne si shtet.

2. Kosova dëshmon se është pjesë e politikave të paqes dhe partneritetit dhe i promovon ato si politika të veta.

3. Përderisa qëndrimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës është për t’i dhënë shans Dialogut për arritjen e Marrëveshjes Ndërkombëtarisht Obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çka është krijuar tashmë edhe Delegacioni Shtetëror, ne duhet t’i japim mundësi këtij procesi dhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura. Ne besojmë se Dialogu është mjeti më efikas dhe i domosdoshëm për t’i tejkaluar të gjitha mosmarrëveshjet në Ballkanin Perëndimor dhe si shtet duhet të jemi promovues permanentë të këtyre vlerave.

4. Dialogu, si proces, mund dhe duhet të ndodhë me një format dhe orar që përcaktohet në pajtim me partnerët tanë perëndimorë. Por, qasja konstruktive e Republikës së Kosovës në këtë proces nuk duhet të merret si e mirëqenë dhe të shërbejë si mundësi përfitimi për Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, derisa qytetarët e Kosovës ende janë të izoluar, pa të drejtën e lëvizjes së lirë në Zonën Schengen.

5. Kosova duhet të jetë e përkushtuar për përfundim të suksesshëm të Dialogut. Por, nëse ky proces nuk rezulton me Marrëveshje të pranueshme për Republikën e Kosovës, shteti ynë do të rivendosë taksën prej 100% dhe do të ndërmarrë masa të tjera shtesë për vendosjen e reciprocitetit të plotë, për të mbrojtur interesat tona politike dhe ekonomike.

Në fund të postimit të tij, Veseli ka thënë se kërkesat e SHBA-së gjithmonë kanë rezultuar me veprime pozitive për Kosovën. Këtu ka shtuar se vetëm harmonizimi i Kosovës me SHBA-në është garanci për sukses në çdo aspekt.

“Kujtesa jonë politike në Kosovë na lë të kuptojmë pa dyshim se kërkesat e SHBA-ve gjithmonë kanë rezultuar me veprime pozitive për Kosovën dhe qytetaret e saj. Konferenca e Rambujesë, intervenimi i NATO-s, Pakoja e Ahtisaarit, Pavarësia e Kosovës, si dhe së fundmi mbështetja për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, e shumë vendime e veprime të tjera, janë dëshmitë më të pakontestueshme se kurdoherë që kemi qenë në linjë të njëjtë me SHBA-të vetëm kemi fituar dhe asnjëherë s’kemi humbur. Në politikën kosovare, në shoqërinë tonë, në popullin tonë, nuk duhet të ketë asnjë pikë dyshimi se harmonizimi i Kosovës me SHBA-të i sjell vetëm të mira popullit të Kosovës. Përkundrazi, vetëm harmonizimi i Kosovës me SHBA-të është garanci për suksesin e Kosovës në çdo aspekt. Andaj, kokëfortësia ndaj kërkesave të mikut tonë më të madh nuk është politike shtetformuese. Vendimet tona politike duhet të kenë në thelb të vetin interesin e shtetit dhe të qytetarëve tanë, e jo qasjen iracionale të përfitimeve politike individuale, grupore e partiake”, ka deklaruar Veseli.

Sa i përket dialogut, Veseli ka thënë se Kushtetuta është baza e vetme e Kosovës në dialog. Duke thënë se nuk do të ketë këmbim territoresh e as asociacion të komunave me kompetenca ekzekutive, Veseli ka thënë se në fund vendimi i dialogut do të marrë vulën e qytetarëve përmes referendumit.

“Prandaj, në Dialog duhet të shkojmë më të bashkuar dhe më të qartë se kurdoherë me parë. Kjo është qasja ime, por edhe e koalicionit tonë. Kushtetuta e Kosovës është mandati dhe baza jonë e vetme në Dialog. Sovraniteti, integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit tonë janë të pacenueshme. Andaj, nuk do të ketë as këmbim territoresh, e as Asociacion të komunave me kompetenca ekzekutive. Çfarëdo vendimi që mund të vijë nga përfundimi i Dialogut, do ta ketë vulën dhe vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, përmes të të zgjedhurve të tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe përmes referendumit”, ka thënë ai.

Në fund, Veseli ka thënë se “në këtë proces, ne duhet t’i bashkërendojmë veprimet tona me partnerët tanë strategjikë, para së gjithash me SHBA-të. Dhe në këtë drejtim, askush nuk duhet ta lëkundë besimin tonë te SHBA-të, e as besimin amerikan te ne. Çfarëdo qëndrimi që e vendos Kosovën në kursin e konfrontimit me SHBA-të nuk do ta ketë mbështetjen time asnjëherë”.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *