Thursday , August 5 2021

Veseli – Meta: Kosova dhe Shqipëria e kanë të qartë rrugën drejt integrimit euroatlantik

25 maj 2018 18:06

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka filluar vizitën e tij në Shqipëri me takimin me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Kryeparlamentari Veseli dhe presidenti Meta diskutuan gjerësisht për marrëdhëniet midis dy shteteve, tashmë të konsoliduara në çdo fushë, me përkushtimin e përbashkët për t’i thelluar më tej, thuhet në njoftimin për media.

Sipas njoftimit, kreu i Kuvendit të Kosovës potencoi edhe njëherë rolin krucial të Shqipërisë si në fazën e luftës dhe të shtet-krijimit, ashtu edhe të konsolidimit të shtetësisë dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

Veseli tha se Kosova dhe Shqipëria tashmë e kanë të qartë aspiratën dhe rrugën të cilën duhet ndjekur për të arritur synimin e përbashkët – integrimin euroatlantik.

Kryetari i Kuvendit tha se Kosova është në pritje të hapit vendimtar të Bashkimit Evropian për të liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës, si një e drejtë e merituar e tyre dhe e shtetit të Kosovës.

Presidenti Ilir Meta, nga ana e tij, përgëzoi kryeparlamentarin Veseli për vendimet e kohëve të fundit të Kuvendit të Kosovës, të cilat, sipas tij, i kanë hapur mundësi të reja shtetit të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian.

Meta tha se Shqipëria vazhdon të mbetet në krah të Kosovës në të gjitha sfidat që ajo ka para vetes dhe se i gëzohet çdo arritjeje të saj, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *