Wednesday , August 4 2021

“Vdekja e Dantonit” përballi politikanët me rezultatin e qeverisjes së keqe të tyre (VIDEO)

Mes luftës ndërmjet njerëzve që e bëjnë revolucionin dhe atyre që i shijojnë frytet e tij, dhe lehtësisë së bërjes së revolucioneve dhe vështirësisë së ndryshimit të shpirtit të popullit, premiera teatrore “Vdekja e Dantonit” në regji të Dino Mustafiç solli jetesën në Maqedoni ku: “për një copë mut jepen 75 denarë në ditë vetëm për pampers, për të parë njëri – tjetrin jepen 6000 denarë për EVN-në, për një litër naftë 63 denarë, për ngrohje qendrore që të ftoh paguhet 10 mijë denarë në muaj, e për metër katror të një baneseje – 750 euro, ku një i ri vetëm me një të dalure me të dashurën e harxhon rrogën e tërë muajit”, të cilat si rezultat i menaxhimit të keq dhe keqpëdorimit të denarit të popullit, erdhi si “bumerang” për udhëheqësit e pushtetit lokal dhe qëndror që ishin të pranishëm në Teatrin e Komedisë, përcjell Fakte.

Skena u pushtua nga mbi 20 aktorë, e të cilët ishin: Refet Abazi (Zhorzh Danton), Luran Ahmeti (Robespier), Gëzim Zherka (Sent-Zhyst), Fisnik Zeqiri (Kamij Demulën), Muzbajdin Qamili (Lëzhandër/Barer), Osman Ahmeti (Lakrua), Hamdi Rashidi (Filipo), Genci Mirzo (Ero Seshel), Amernis Nokshiqi (Zhuli), Aida Elezi (Lysi), Mentor Kurti (Laflot), Ilir Reçi (Mersie), Sokol Hajrullai (Erman), Asdren Selimi (Shomet), Besfort Idrizi (Fukie – Tanvil), Berat Mahmut (Kolo d’Erbua), Ajshe Useini, Arian Ejupi, Faton Ibrahimi, Kujtime Ahmeti, Taulant Destani dhe Orfej Asllanaj me përcjellje muzikore.

Premiera “Vdekja e Dantonit” në regji të Dino Mustafiç

Përskaj këtyre realiteteve, shfaqja “Vdekja e Dantonit” që erdhi si projekt i realizuar nga Teatri Shqiptar i Shkupit, solli edhe mësimin se: populli e çliron vetveten, se lufta mes Dantonit dhe Robespierit në Francë është aktuale edhe në Maqedoni, se besimi ndaj Prokurorisë Publike ka humbur dhe prandaj kërkohet Prokurori Speciale, se “Filipi” ka në plan të arratiset nga burgu që të vihet në krye të protestuesve – nga ku më pas u refuzua kërkesa për formim të komisionit të veçantë, për marrje pjesë në seanca gjyqësore të të pandehurve, gjë e cila ngjalli revoltë te Dantoni:

“Edhe sa kohë gjurmët e lirisë do të kthehen në varre. Ju kërkoni bukë, kurse ata ju hedhin te këmbët kokat tona. Ju vdisni nga etja, kurse ata ju detyrojnë të lëpini gjak të shkallët e gijotinës”, që u pasua nga thirrjet “rroftë Dantoni” dhe “poshtë Dantoni” që sillte edhe kundërshtimet mes grupit të Dantonit dhe kundërshtarit të tij, Robespierit që u luajt nga aktori, Luran Ahmeti.

Te “Vdekja e Dantonit” u dërgua lutje

Të pranishëm në shfaqje ishin edhe aktorë të rinj, që për herë të parë marrin pjesë në projekt profesional, e nga të cilët dolën lutje:

Për ato që s’kanë kulm mbi kokë; që të jetojnë në paqe fëmijët – pasi që vetëm në dekadën e fundit 2 milionë prej tyre janë vrarë, 5 milionë të tjerë kanë mbetur invalidë, 12 milionë kanë humbur shtëpitë e tyre; për një jetë më të mirë në Maqedoni për të rinjtë – pasi që 53 për qind e tyre duan të dalin jashtë, e kurse ambasadat po shpërndajnë nga 75 viza në ditë; për barazi gjinore – pasi që gjininë femërore nuk e mbron ligji; për fëmijët që vriten aksidentalisht – pasi që ata vriten qëllimshëm e kurse thuhet se janë vrarë aksidentalisht; për ata që nuk kanë librezë partiake – pasi që në Maqedonia funksionon në mënyrë partiokratike; për studentët që të mos i paguajnë praktikat e tyre; që njerëzit të shpëtojnë nga përmbaruesit; që në media të mos flitet e vërteta kaq mizorisht – pasi që partitë i kanë blerë mediat, e duan ta detyrojnë popullin të besojë në atë që ata duan.

Premiera “Vdekja e Dantonit” në regji të Dino Mustafiç

Premiera “Vdekja e Dantonit” në regji të Dino Mustafiç

Ndër ata edhe Faton Ibrahimi, i cili shfaqen e sheh si shkollë në vete.

“Ky është projekti im i parë profesional. Unë ndihem mirë që jam pjesë e këtij projekti, veçanërisht për faktin se kemi luajtur me profesorin që i ka munguar skenës për 15 vjet. Ka qenë një proces që ka zgjatur rreth dy muaj. Mendoj, se pjesëmarrja në këtë shfaqje është një nismë shumë e mirë për mua, sepse të punosh me regjisorin Dino Mustafiç, është një shkollë e re”, tha Ibrahimi.

Shkrimtari Xhabir Ahmeti, shfaqen “Vdekja e Dantonit” e vlerësoi si origjinale për nga përmbajtja e Revolucionit Francez, por sipas tij, ajo u përshtat mirë në kohën dhe hapësirën e Maqedonisë.

“Rolet e luajtura, që nga roli i Refet Abazi e deri tek i fundit, ishin shembull se si duhet të aktrohet në teatrin modern. Një vepër me tematikë të Revolucionit Francez, por e adaptuar aq mirë për ditët e sotme, duke e ruajtur origjinalitetin. Ishte një shfaqje për lakmi. Shpresoj që Teatri Shqiptar i Shkupit të vazhdojë kështu, sepse ka pasur një pauzë të gjatë me meremetimin e objektit. Është një nismë e mirë, dhe dëshiroj që edhe njëherë t’i përuroj regjisorin, aktorët dhe Teatrin”, tha Ahmeti.

Premiera “Vdekja e Dantonit” në regji të Dino Mustafiç

E kur Dantonit i shkonin keq punët në shfaqje – realitet, një prej miqve të tij i propozoi të largohej përpara se t’i ndodhte ndonjë gjë e keqe. – Të largohem? – thirri Dantoni, – dhe mendon se atdheu mund të futet nën shollën e këpucëve?

E zëri gjëmues i aktorit Refet Abaz, që u rikthye në skenë pas 16 vjetësh, mbulonte tingëllimën e ziles derisa nga goja nxirrte fjalët: “Sot është dita e përvjetorit të themelimit të gjyqit të revolucionit. Kërkoj të falur ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve. Përpara gjykatës revolucionare”.

Dramaturge: Zheljka Udoviçiq Pleshtina, skenografia: Dragutin Broz, kostumet: Ines Golja, muzika: Oliver Josifovski dhe koreograf: Gjergj Prevazi.

Më poshtë edhe sekuenca nga premiera “Vdekja e Dantonit” në regji të Dino Mustafiç./Portalb

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *