Pa marrëveshje përfundojë maratona e bisedimeve të mbëmshme të grupeve punuese të partive politike me ambasadorët Xhes Bejli dhe Aivo Orav për reformat në media dhe pastrimin e listës zgjedhore, transmeton Fakte.
Ambasadori i SHBA-së, Bejli tha se nuk është dëshpëruar sepse ndonjëherë për tu arritur një marrëveshje nevojitet më shumë kohë.
“Kishim debat konstruktiv që zgjati pesë orë dhe kemi kryer punë të mirë. Nuk mund të njoftoj që është arritur marrëveshje, por mund të them që do të vazhdojmë bisedimet. Nuk jam dëshpëruar që sot nuk u arrit marrëveshje sepse ndonjëherë nevojitet më shumë kohë”, tha Bejli.
Në këtë fazë të bisedave ndërpartiake marrin pjesë Artan Grubi nga BDI-ja, Imer Aliu nga PDSH-ja, Nikolla Todorov, nga VMRODPMNE-ja, Radmilla Shekerinska nga LSDM-ja, bisedimet do të vazhdojnë edhe sot.
Përndryshe, ditë më parë, Agjencia e Lajmeve, “Meta“, ka shkruar se nga burimet e saja brenda ekipeve politike në bisedime, zgjedhje mund të ketë në nëntor, por me kontroll paraprak në gusht se a janë plotësuar kushtet dhe të gjitha vërejtjen nga bisedimet.
Sipas burimeve, është arritur marrëveshje e vogël rreth Listës Zgjedhore dhe reformat në media.
Përsëri në lojë është, opsioni që ata 40.000 qytetarë të cilët nuk janë gjetur në adresat e theksuara gjatë kontrollit në terren, vetë të paraqiten në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). Nëse në një afat të caktuar nuk e bëjnë atë, ata do të fshihen nga Lista Zgjedhore.
Në bisedimet për reformat në media, gjithashtu, ka përparim të vogël, me debat rreth propozimeve.
Ashtu siç mësohet, në tavolinë është edhe propozimi për formimin e departamenteve speciale në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Gjykatë për nevojat e Prokurorisë Speciale, përcjellë Portalb.
Përndryshe, bisedimet mes partive politike u ndërprenë në mesin e muajit qershor për shkak të qëndrimeve të kundërta mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së për reformat në media dhe mënyrën e pastrimit të Listës Zgjedhore. /Portalb