Thursday , April 22 2021

UT organizoi Konferencë: drejtësia dhe sfidat e proceseve euroatlantike

,,Drejtësia dhe sfidat e proceseve euroatlantike” është tema e Konferencës së tretë shkencore ndërkombëtare, e cila i filloi punimet në Universitetin e Tetovës. Kjo konferencë organizohet nga Fakulteti Juridik dhe ka një bord editorial ndërkombëtar, në mesin e të cilëve marrin pjesë personalitete akademike dhe shkencore nga vendi, rajoni dhe bota.

Në hapjen solemne të konferencës të pranishëm ishin Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Doc. Dr. Agim Nuhiu, si dhe shumë personalitete të tjera. Studiuesve pjesëmarrës nga fushat e drejtësisë, shkencave politike, gazetarisë, sociologjisë juridike dhe filozofisë juridike.

Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili, tha se organizimi i kësaj konference të rëndësishme shkencore me karakter ndërkombëtar ka arritur të tubojë në gjirin e vet shumë personalitete eminente, shkencëtarë të njohur në fushën e jurisprudencës.

,,Me organizimin e kësaj konference, ne dëshmojmë se jemi në shërbim të dijes dhe shkencës, e cila është premisa kryesore për progresin dhe mirëqenien e gjithmbarshme ekonomike-shoqërore dhe politike, dhe me këtë, njëherë e përgjithmonë mëtojmë të vëmë vulën e lirisë akademike dhe autonomisë universitare”, tha Prof. Dr. Reshat Qahili.

Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Ferat Polisi tha se konferenca do t’i zhvillojë punimet në disa panele, si: atë penal, civil, administrativ kushtetues, ndërkombëtar, shkenca politike dhe gazetari.

,,Padyshim se shteti, e drejta, politikat publike, gazetaria, veprimtaria administrative dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, kanë rëndësi të veçantë në kuadër të funksionimit të një shteti dhe në këtë drejtim ato meritojnë një studim më të veçante dhe më të detajuar”, theksoi Prof. Dr. Ferat Polisi.

Koordinatori i Konferencës, Prof. Dr. Naser Ademi deklaroi se përmbajtja e temave që preken në këtë konferencë, u referohet vlerësimeve profesionale e shkencore bashkëkohore, duke e bërë atë pjesë përbërëse në hapësirën shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Konferenca punimet i filloi me kumtesën e Prorektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Arbër Çeliku, me temë: ,,Përdorimi i drejtë i normave gjuhësore në aktet juridike, me theks të veçantë në aktakuza, fletarrestime dhe urdhër-dhënie”.

Në konferencën e sotme po ashtu u promovuan edhe numrat V dhe VI të revistës shkencore ndërkombëtare të Fakultetit Juridik ,,Justicia”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *