Thursday , April 22 2021

UNITETI: Edhe përskaj iniciativës tonë, ne nuk i bojkotojmë zgjedhjet por do futemi për ti fituar ato

Partia UNITETI përmes deputetit të saj, Zylfi Adili dje ka deponuar në Gjykatën Kushtetuese “Nismë për inicim të procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nga ana e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë”.

Sipas kësaj partie, me këtë nismë kontestohet vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pasi pa balansimin e njësive zgjedhore shkelet Neni 22 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë i cili garanton barazinë e së drejtës zgjedhore, si dhe Neni 51 nga Kushtetuta.

Agjencia e Lajmeve Zhurnal kontakoi me sekretarin e përgjithshëm të UNITETI-t, Muhamed Ismaili duke e pyetur se kjo nismë a mund të nënkuptohet si sinjal për bojkot të zgjedhjeve nga ana e tyre, nga fakti që tanimë kjo parti ka nënshkruar koalicion parazgjedhorë me RDK-në dhe LR-PDSH-në.

Ismaili thotë se kjo nismë është bërë vetëm se njësia zgjedhore numër 6 është dukshëm më pak e vlefshme se njësia numër 3 ose 4 dhe me këtë shkilet kushtetuta për shkak se vota nuk është e barabartë dhe me këtë me automatizëm shkilet edhe qytetari shqiptar.

“Nisma e UNITETI-t nëpërmjet deputetit të saj, Zylfi Adili para Gjykatës Kushtetuese është në drejtim të mbrojtjes së ligjit, edhe pse në vend tanimë një kohë të gjatë kushtetuta dhe ligjet po shkilen prej atyre që duhet ti zbatojnë dhe ti ruajn prej koalicionit qeverisës dhe organeve të shtetit. Në këtë rast konkret është bërë shkelje e kushtetutës dhe e kodit zgjedhorë në pjesën e barazisë së votës, ose më konkretisht vota e shqiptarëve në zonën zgjedhore numër 6 është dukshëm më pak e vlevfshme se e maqedonasve në zonën 3 apo zonën 4, kjo është bërë me qëllim ose me marrëveshje të koalicionit VMRO-BDI.  UNITETI ka ndërmarr këtë hap pasi që ka pritur deri në përmbylljen e punës së Kuvendit që kjo çështje të rregullohet meqë nuk është rregulluar, është ngre iniciativë para Gjykatës Kushtetuese që ky vendim të kontestohet”, ka deklaruar Ismaili duke shtuar se edhe përskaj kësaj iniciative UNITETI është e gatshme të garoj në zgjedhje dhe në asnjë mënyrë ti bojkotoj ato. Ai madje thotë se bashkë me koalicionin partia UNITETI do ti fiton zgjedhjet e ardhëshme parlamentare të 11 dhjetorit.

“UNITETI dhe koalicioni nuk e kontestojnë nevojnë për të dalë në zgjedhje sa më shpejtë, jemi të përgatitur dhe po vazhdojmë të përgatitemi për të marrë pjesë në zgjedhje. Dmth ky nuk është veprim për ti anuluar zgjedhjet si proces, por ky është një sinjal i qartë dhe konkret se është bërë shkelje e kushtetutës dhe kodit zgjedhorë në dëm të shqiptarëve. Ne do vazhdojmë edhe pse kushtet paraprake që duheshte dhe duhet të përgatiten për të mbajtur zgjedhje fer dhe demokratike nuk janë zbatuar , por prap ne do vazhdojmë në këto rrethana të luftojmë për të drejtat e qytetarëve shqiptar, dhe ne do marrim pjesë në zgjedhje si koalicion dhe jemi të bindur se do të fitojmë”, ka përfunduar për Zhurnal, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Muhamed Ismaili.

Ndryshe, deputeti Adili pasi dorëzoi iniciativën në Gjykatën kushtetuese deklaroi se “Nëpërmes kësaj iniciative kontestojmë mënyrën se si janë shpallur zgjedhjet. Nga ana e institucioneve, që udhëhiqen nga BDI dhe VMRO, bëhet shkelje drastike e Kushtetutës dhe ligjit për zgjedhje. Pse një qytetar maqedon i Strumicës të ketë më shumë vlerë sesa një qytetar shqiptar i Tetovës. Uniteti e konteston mënyrën se si janë shpallur nga ana e kryetarit të Parlamentit”, tha Zylfi Adili./Zhurnal

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *