Wednesday , August 4 2021

UEJL NUK MOHON SHKRIRJEN NË UNIVERSITETIN “NËNË TEREZA” (video)

Universiteti i Evropës Juglindore, në vigjilje të shënimit të 15 vjetorit të themelimit, është duke dizajnuar Plan të ri strategjik, e gjatë këtij procesi, janë duke u shqyrtuar të gjitha modelet e bashkëpunimeve. Kështu thuhet në një kumtesë të Universitetit të Evropës Juglindore kushtuar bashkëpunimit me Universitetin “Nënë Tereza”, apo gjykuar sipas deklaratës së ministrit të arsimit, Pishtar Lutfiut, shkrirjes së Universitetit të Evropës Juglindore në Universitetin “Nënë Tereza”.

”Pikërisht, në këtë fazë, janë duke u shqyrtuar edhe zhvillimet e fundit në arsimin e lartë në Maqedoni. Në qendër të analizës është gjetja e modeleve të qëndrueshme të universitetit, me qëllim të ruajtjes së misionit dhe standardeve ndërkombëtare të krijuara në universitet, para së gjithash falë edhe ndikimit të përvojave ndërkombëtare”, thuhet në kumtesën e UEJL-së.

Në kumtesën e Universitetit të Evropës Juglindore, nuk mohohet mundësia për shkrirjen e këtij universiteti në Universitetin “Nënë Tereza”, apo themelimit të një universiteti të vetëm nga dy universitetet ekzistuese, por theksohet se UEJL dëshiron të japë kontribut në optimizimin e ofertës akademike.

“Në mungesë të strategjive të qarta të zhvillimit të arsimit të lartë në rajon dhe iniciativave të shpeshta publike për masovizimin e qasjes në arsimin e lartë, dëshirojmë që edhe ne si universitet të japim kontributin tonë në optimizimin dhe racionalizimin e ofertës akademike, me theks të veçantë në arsimin e lartë në gjuhen shqipe”, theksohet në kumtesë.

Në kumtesën e UEJL-së gjithashtu thuhet se janë duke u konsultuar të gjithë faktorët, gjë që e tha edhe ministri i arsimit, Pishtar Lutfiu, për të gjetur modelet më optimale të bashkëpunimit./SHENJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *