Wednesday , July 28 2021

Turqia do ta mbështesë Kosovën në Samitin e Interpol-it

Departamenti i Interpol-Europolit pranë Drejtorisë së Përgjithshme Policore të Turqisë do t’i mbështesë Kosovën dhe Palestinën në “Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit” që do të mbahet në Indonezi, për anëtarësimin e këtyre shteteve në këtë strukturë, transmeton Fakte.

Sipas të dhënave të siguruara nga gazetari i AA-së, “Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit” do të mbahet mes datave 7 dhe 10 nëntor në Indonezi.

Ndërkaq, pika kryesore e rendit të ditës së mbledhjes në të cilën do të marrë pjesë edhe një delegacion nga Departamenti i Interpol-Europolit pranë Drejtorisë Policore të Turqisë, do të jetë aplikimi i Kosovës, Palestinës dhe Ishujve Solomon për anëtarësim në Interpol.

Interpoli turk do të japë mbështetje për anëtarësimin e Kosovës dhe Palestinës. Në mbledhje po ashtu do të shqyrtohet edhe aplikimi i Ishujve Solomon.

Gjithashtu, në mbledhje do të zgjedhet edhe drejtori i Interpolit, zgjedhje kjo që përsëritet një herë në katër vite.

Për pozitën e drejtorit do të garojnë zv/ministri i Sigurisë Publike i Kinës Hongwei Meng dhe Gjeneral-lejtnanti nga Namibia, Sebastian Ndeitunga.

190 shtete do të njoftohen në lidhje me FETO-n

Në kuadër të Samitit të Interpolit do të organizohet panel me titullin “Terrorizmi”, në të cilin do të marrin pjesë një përfaqësues nga SHBA-të dhe koordinatori i Bashkimit Evropian për Luftën Kundër Terrorizmit.

Në panel, zyrtarët turq do të shpjegojnë qëndrimin e Turqisë kundër luftëtarëve terroristë të huaj, PKK-së, YPG-së dhe Organizatës Terroriste FETO, e cila më 15 korrik ndërmori tentativë për grusht shteti.

Në kuadër të aktiviteteve të lobimit, zyrtarët e policisë turke do të zhvillojnë takime dypalëshe me përfaqësues nga shumë shtete, do të shpërndahen hard-disqe eksternale në të cilat do të ketë prezantime, të dhëna dhe dokumente në lidhje me tentativën për puç nga FETO.

Po ashtu, përfaqësuesve të 190 shteteve do t’u jepen informacione në lidhje me luftën kundër kësaj organizate./AA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *