Sunday , July 22 2018

Thaçi: Në fund të procesit me Serbinë duhet të ndodh njohja reciproke

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka folur për fillimin e fazës së fundit të dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur rreth takimit të fundit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini, Thaçi u shpreh se ky takim ka qenë bashkëpunues në kërkimin e modaliteteve dhe opsioneve se çfarë mund të arrihet në këtë proces por edhe për të parë se çfarë është e pamundur në këtë proces, përcjell Fakte.

“Ky ishte vetëm një takim, në javët dhe muajt e ardhshëm në takimet e tjera do të diskutohet substanca e marrëveshjes përfundimtare. Në këtë takim është folur vetëm për kornizën e marrëveshjes, asgjë tjetër”, u shpreh Thaçi, duke shtuar se presin që së shpejti të mbahet takimi i radhës.

Presidenti Thaçi, shtoi se marrëveshja përfundimtare do të jetë ligjërisht, ndërkombëtarisht obliguese për të gjitha palët.

Ai ka kërkuar që mes partive politike në Kosovë, të arrihet sa më shpejtë një konsensus sa më i gjerë për dialogun.

“Ftoj edhe ekspertët, akademikët, shoqërinë civile edhe mediat që të bëhen pjesë e këtij diskutimi”, tha Thaçi.

Ai shtoi se është i gatshëm që t’i adresohet Kuvendit të Kosovës për të informuar deputetët dhe qytetarët për këtë fazë përfundimtare të dialogut.

“Në fund të fundit marrëveshja do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për të marrë vulën nga të zgjedhurit e popullit”, tha Thaçi.

Thaçi shtoi se bisedimet në këtë fazë finale ashtu siç kanë filluar pret të jenë të rënda dhe të vështira.

“Është një konflikt për më tepër se një shekullor që pritet të përmbyllet me marrëveshje paqësore, të normalizimit, pajtimit dhe njohjes reciproke. Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi shtet anëtar i OKB-së, integrimin e Kosovës në NATO dhe BE-në”, theksoi Thaçi.

Ai shtoi se në fund të procesit duhet të ndodh njohja reciproke, përndryshe këto negociata do të ishin të pakuptimta. /Telegrafi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.