Tuesday , March 2 2021

Thaçi i gatshëm për bashkpunim me Ahmetin

Në prag të takimit të radhës të liderëve politikë, kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi është shprehur i gatshëm të bashkëpunoj me liderin e BDI-së Ali Ahmeti. Ai e bëri publik këtë qëndrim në emisionin Zona B të Klan-Kosovës. Thaçi ftoi Ahmetin për çfarëdo bashkëpunimi të mundshëm, por që edhe Ahmeti të marrë në konsideratë kërkesat e PDSH-së, si dhe koston që kjo ka në bllokun maqedonas. Thaçi madje sqaroi se në takimet e deritanishme me Ahmetin nuk është biseduar për asgjë serioze dhe asgjë politike që nënkupton se bashkëpunimi i mundshëm, është i vështirë.

“Asgjë serioze, asgjë politike dhe e treta ju më thoni a ka mundësi që unë të bashkëpunoj me zotin Ahmeti, 99 % shumë vështirë, unë flas për tokën ai flet për mjegullat, unë flas për njerëzit e vrarë që nuk është lehtë e tejkalueshme, ai më flet për prapaskenat e inskenimeve të ndryshme të ilegalëve. Unë i flas se nëse duhet t’i ndajmë përgjegjësitë duhet t’i ndajmë edhe interesat. Nëse ai ka dëshirë që unë ta mbështesë këtë rrugë të tij dhe mos t’i konkurroj, ne duhet të flasim bashkërisht se cilat janë interesat e partisë të cilën unë e drejtoj. Nëse ai e do bashkëpunimin shqiptar, duhet të jetë i vetëdijshëm se ky bashkëpunim duhet të ketë një kosto për maqedonasit”, deklaroi Menduh Thaci, kryetar i PDSH-së.

Thaçi ka komentuar edhe ngjarjet e Kumanovës duke pranuar se ka pasur njohuri paraprake rreth grupit të armatosur, por duke këmbëngulur në atë se Kosova nuk ka asgjë të përbashkët me gjendjen e krijuar në Maqedoni.

“Sigurisht kemi pas informacione paraprake për shkak se ndodhi edhe rasti i Gushincës dhe aty me politikan dhe drejtues shqiptar ku kam pas mundësi unë, këtë e kam paraqitur si shqetësim. Unë jam shumë i limituar nga instrumentet që mund të përdori . Kosova s’ka asgjë të përbashkët me këtë ngjarje e cila ndodhi në Kumanovë….. Fizikisht janë kosovarë por politikisht janë njerëz të cilët kanë drejtuar luftën e vitit 2001 dhe në aspektin social dhe në aspektin e rehabilitimit vazhdon të jenë problem i Maqedonisë. Ata njerëz të cilët sot janë nëpër institucione drejtuese, qofshin edhe ministrat e BDI-së, nuk janë manekinët e luftës së 2001, këta njerëz të cilët e ndryshuan situatë. dhe kur këta njerëz qoftë edhe në Amerikë, veteranët e luftës nuk i trajtoni në aspektin social, aspektin ekonomik po edhe politik dihet se ata do t’i shprehin pakënaqësitë e tyre. Pjesa më e madhe e tyre ngelën pa përkujdesje sociale dhe ekonomike”, tha Menduh Thaci, kryetar i PDSH-së.

Thaçi sqaroi më tej se zgjidhja e krizës politike është vetëm rregullimi i statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve, i cili duhet të jetë i barabartë me maqedonasit./AlsatM

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *