Monday , August 20 2018

Thaçi i fal burgun dhëndrit të tij të dënuar për vrasje

Presidenti Hashim Thaci ka shfrytëzuar për të dytën herë këtë vit, të drejtën që ia jep Kushtetuta, duke ua falur 14 personave disa vite të burgut.

Në mesin e të falurëve është një person jo pak i njohur për Thaçin.

Presidenti zgjodhi ta fal dhëndërin e familjes së tij, Hasan Rracin, i dënuar për dy vrasje në Klinë, raporton T7.

Ai del të jetë bashkëshorti i vajzës së tij të axhës, Halime Rracit.

Burime të sigurta të Televizionit 7 kanë treguar se Halimja është motra e truprojës së Thacit, Hisni Thacit, i dënuar për krime të luftës në rastin Drenica.

Madje nga 14 personat e falur, Presidenti i ka falur më së shumti vite dhëndrit të tij, gjithsej 3 vite, ndërkohë që të tjerëve u ka falur nga 2 vite dhe nga gjashtë muaj.

Hasan Rraci kishte kryer dy vrasje jo pak të rënda.

Në vitin 2008 ai kishte vrarë në oborrin e shtëpisë së vetë, vajzën e tij 15 vjeçare.

Arsye për vrasjen e të bijës ishte dyshimi i tij se ajo kishte lidhje dashurie me kushëririn e largët të tij Mensur Rracin.

Për këtë vepër Raci ishte dënuar me vetëm dy vite burg.

Çuditërisht ai nuk e kishte vuajtur gjithë dënimin e shqiptuar nga Gjykata duke kaluar vetëm gjashtë muaj në burg.

Ditën që kishte dal nga burgu kishte vrarë në mes të qytetit të Klinës kushëririn e tij 21 vjeçar, Mensur Racin.

Gjykata për krimin e dytë ia shqiptoi atij 19 vite burg.

Presidenti i ka falur këtij dorasi që del të jetë dhëndër i familjes Thaçi, 3 vite të burgut.

Në ditën kur ka dëgjuar për këtë falje, Babain e Mensurit thotë se është ndier sikurse ditën kur e varrosi të birin e tij 21 vjec.

I indinjuar me vendimin e Presidentit, ai beson se lidhjet e dorasit me familjen Thaçi nga Buroja e Skenderajt kanë ndikuar që atij t’i falen tri vite të burgut.

Televizioni 7 ka provuar të flas me familjen e Hasan Rracit në Klinë, por ata nuk i janë përgjigjur vizitës së ekipit të televizionit në shtëpinë e tyre.

Mbrëmjën e 17 dhjetorit të 2008 Hasan Raci ishte kthyer në shtëpinë e tij në Klinë, pasi paraprakisht ishte lajmëruar se vajza e tij Leonora kishe disa orë që kishte dal nga shtëpia.

Me t’u kthyer ai e kishte pritur atë në oborr, duke e pyetur se ku kishte qenë deri në atë kohë.

Aty besohet se kishte lindur një konflikt verbal mes tyre dhe se Leonora 15 vjeç, nxënëse e klasës së 9 e kishte fyer babain e saj duke e sharë e pështyrë në fytyrë.

Aty Raci kishte nxjerr nga brezi revolën e tij dhe kishte qëlluar plotë gjashtë herë në trupin e vajzës së tij duke e lënë të vdekur në vend.

Ai menjëherë kishte hipur në veturën e tij dhe ishte dorëzuar në Polici.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë të cilin e ka siguruar Televizioni 7, Gjykata kishte vlerësuar se Hasan Raci vrasjen e kishte kryer në gjendje të afektit mendor esencialisht të zvogëluar dhe për këtë arsye dënimi që i ishte shqiptuar ishte vetëm 2 vite burg.

Tre doktorë, ekspertë në lëmin e shëndetësisë mendore, kishin raportuar në gjykatë se i dyshuari ka reagime të shpejta impulsive dhe se ai manifestonte vetëkontroll të dobët.

Aktin e vrasjes së të bijës, nuk e kishte kundërshtuar as nëna e saj Halime Raci e cila në gjykatë sipas aktgjykimit kishte thënë se fjalët fyese që Leonora i kishte thënë babait të saj nuk do ti kishte duruar as ajo.

Ajo në gjykatë nuk kishte kërkuar ndjekje penale apo dëmshpërblim nga bashkëshorti i saj, përkundrazi kishte deklaruar se me të edhe më tutje do të jetojë në bashkësi familjare.

Çuditërisht, Hasan Raci kishte kaluar në burg vetëm gjashtë muaj të paraburgimit dhe ishte lënë të mbrohet në liri në ditën kur Gjykata kishte shpallur aktgjykimin për vrasjen e të bijës së tij.

Vetëm dy muaj pasi kishte dal nga burgu, Hasan Raci kishte kuptuar nga djali i tij se ai dyshonte se Leonora kishte qenë në lidhje dashurie me kushëririn e tij Mensurin.

Kështu në mëngjesin e 16 shtatorit 2009 me këto dyshime dhe me qëllim të hakmarrjes për vdekjen e vajzës së tij të cilës ia kishte shuar jetën vetë ai, Hasan Raci e përcjell kushëririn e tij Mensurin dhe në afërsi të Kuvendit Komunal të Klinës, në parkingun e taksive shtie disa herë në drejtim të tij, dhe në momentin kur 21 vjeçari rrëzohet në tokë ai afrohet dhe shtënë edhe disa herë të tjera, duke i lënë në trupin tij plotë 8 plumba.

Gjykata në vitin 2010 e kishte dënuar Racin me dënim unik prej19 vite e gjashtë muaj burg, për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Dy krimet Raci i kishte kryer me armë pa leje që i barte në brez, për siç thoshte ai shkaqe sigurie. Dyshimet e dorasit për lidhje intime mes kushërinjëe mbetën ende të paqarta për babain e Mensurit.

Dhimbja e Sheremetit për djalin e tij 21 vjecar, student i shkëlqyer i fakultetit ekonomik në Pejë, është rikthyer si në kohën kur e humbi atë, kur mori vesh për faljen që i bëri dorasit Presidenti.

Hasan Raci deri më tani ka vuajtur 9 vite të dënimit, ndërkohë që presidenti i fali edhe tri të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.