Tetovë, ndryshimi i emrave maqedonas të rrugëve ngel vetëm premtim (video)

Një sërë emrash të rrugëve dhe shesheve në Tetovë ndonëse janë ndryshuar që në vitin 2007, institucionet shtetërore nuk i njohin ato. Respektivisht emrat e rinj përdoren vetëm në nivel lokal ndërkohë që në nivel qendror ende shfrytëzohen emrat e vjetër të tyre. Nga Komuna e Tetovës theksuan se ndryshimet janë bërë në kuadër të ligjit ndërkohë që për mos përdorimin adekuat të tyre thonë se përgjegjëse është Ministria për Pushtet Lokal.

“Do të kërkojmë përgjigje nga ministria e pushtetit lokal pse gjer tani nuk kemi përgjigje për disa rrugë emrat e të cilëve që janë ndryshuar dhe iniciativa tjetër do të jetë iniciativa për ndryshimin e disa emrave të disa rrugëve të tjera”, deklaroi Hysen Demiri, udhëheqës sektori për komunikacion.

Por nga Ministria e Pushtetit Lokal thanë se për çështjen e ndërrimit të emrave të rrugëve kompetente është Qeveria dhe jo ky dikaster. Nga Qeveria ndërkaq konfirmuan se rreth kërkesave të vitit 2007 kanë dhënë pëlqim, ndërkohë që iniciativa të reja ende nuk kanë mbërritur.

Alsat kërkoi sqarim edhe nga Regjistri Qendror përse emrat e ndryshuar në Komunën e Tetovës në vitin 2007 nuk janë evidentuar ende, por nga ky institucion thanë se problemi qëndron se kjo komunë nuk ka akoma bazë të të dhënash në Regjistrin Qendror.

“Komuna e Tetovës nuk ka bërë transmetim inicial të të dhënave në Regjistrin e adresave prandaj nuk ka fare bazë të të dhënave të adresave për Komunën e Tetovës”, thanë nga Regjistri Qendror i RM-së.

Emrat e rinj të rrugëve si Mehmet Pashë Deralla, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Sheshi Iliria janë vendosur që në vitin 2007 por ato ende nuk mund të shfrytëzohen si adresa zyrtare në institucionet shtetërore./alsat-m

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *