Wednesday , January 27 2021

Tenori Lahaj e çon emrin e Kosovës në skenat e mëdha të operës

Tenori kosovar Ramë Lahaj, i cili zuri vendin e tretë në konkursin e Operalia, në një intervistë për emisionin Interaktiv të KTV-së ka folur për suksesin e arritur në Meksikë.

Derisa ka folur për fazën e konkursit të Placido Domingos, ai ka thënë se në skenat ndërkombëtare të operës ai vazhdimisht prezantohet si tenor i Kosovës dhe lobon individualisht për Kosovën, transmeton Fakte.

“Deri më tani jam i vetmi që kam prezantuar Kosovën ndërkombëtarisht. Kolegët e mi nuk kanë shumë ide se ku gjendet Kosova. Unë ia kam vënë vetës një detyrë që të loboj për Kosovën”, ka thënë Lahaj për Interaktivin.

“Është privilegj i madh që të dërgoj një lloj stafete të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Unë këtë e bëj individualisht sepse nuk jam përfaqësues i Operës së Kosovës. Është e çuditshme edhe pse nuk jam këtu që të ankohem sepse jemi lodhur prej politikës në vend. Jam këtu që të sjell energji pozitive dhe të jap një mesazh se ëndrrat për t’u realizuar duhet shumë punë”, ka shtuar ai.

Çmimi i konkursit të Operalias, sipas Lahajt, është trofeu më me vlerë që mund të fitojë një tenor, derisa ka shtuar se ka qenë privilegj që të këndojë përkrah Placido Domingos.
“Ka qenë privilegj që të bëjë muzikë përkrah Placido Domingos, sa ka qenë privilegj ka qenë edhe emocion i veçantë. Kemi pasur mundësi që të punojmë me të, sidomos me ne dhjetë të fundit. Është kënaqësi kur takon njerëz kaq të mëdhenj”, ka thënë Lahaj.

“Për një këngëtar të ri është trofeu më me vlerë që mund ta marrë. Kjo përcakton këngëtarët e rinj. Ka qenë ëndërr të cilën kam menduar se nuk do ta realizoj kurrë”./Koha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *