Taravari i LRPDSH-së letër tepër emocionale drejtuar anëtarëve të BESËS

Sekretari gjeneral i LR PDSH-së Arben Taravari ka publikuar një letër tepër prekëse dhe emocionale drejtuar çdo anëtari të Lëvizjes BESA, shkruan Fakte. Ai u drejtohet si vëllau vëllaut, duke kërkuar përgjigje vëllazërore pse u ndërprejt komunikimi mes partive opozitare shqiptare, njëanshëm nga ana e Besës, me ftesën publike. Taravari në profilin e tij ka shkruar:

PER BASHKIMIN OPOZITAR…

Do kisha dashur në fakt që këto rreshta as mos ti kisha konkluduar, shkruar e për më shumë drejtuar diku, po nuk më mbetet gjë tjetër veçse ti them, pasi heshtja nuk është gjithnjë flori, e në këtë rast do ishte krim!
E ndjejë për detyrë përpara të gjithë atyre njerëzëve të ndershëm, të cilët e prisnin bashkimin e partive opozitare si shenjë të dashurisë kombëtare, që në fakt është!
Ky bashkim do të ishte përgjigjia e duhur që populli priste…
Pengu im është i mprehtë, është në kufijtë e të pasqarueshmes: si nuk dinë të merren vesh shqiptarët kur vjen puna për të Mirën e tyre?!
Më besoni se nuk dua të bëj me gisht nga fajtorët, ata nuk kanë rëndësi në momentin kur gjithçka është midis vëllezërve!
Unë vetëm kam disa pyetje, pyetje që më mundojnë, e që dhashtë Zoti ti mund të marr përgjigje!
I drejtohem çdo anëtari të Lëvizjes BESA: vëllezërit e mi, nëse mua do më ndodhte ndonjë aksident nesër, e do humbisja jetën, a do kujdeseshit ju për fëmijët e mi, apo do thonit-jo, le të vdesin po të duan ata jetimë se baba i tyre nuk ishte si duhej?!
Jam i sigurtë që jo vetëm nuk do e thonit, por do ishit pranë tyre dhe pranë çdo njërit që do kishte nevojë, se patjetër që ju keni zemër dhe falë Zotit ju rreh në vendin e duhur!
Por vëllezër, të luash me fatin qoftë edhe të një shqiptari ke rrëzuar të ardhmen e secilit prej tij!
Dhe ne luajmë miqtë e mi! Luajmë pa dashjen tonë, luajmë sepse frika, sedra, egocentrizmi, na mbysin zemrën dhe familjen, dashurinë dhe atdheun që na fle në shpirt!
Siç po e lexoni, kjo është një letër që po e dërgoj si me ia nis vëllait që nuk e kam, ndaj lexojeni si të tillë.
Vërtet mendoni se unë, burrë 44 vjeç, baba i dy fëmijëve, neurolog e profesor, do mund t’ia kisha ndokujt me hilé?!
Unë isha një nga negociatorët e partisë time, sa herë që kam biseduar, kam folur me seriozitet e ndershëmëri, nuk di të kem menduar apo dëgjuar në mbledhjet e partisë tonë ndonjë hamendësim për të diskretituar partinë tuaj, akuzë të cilën e dëgjoj nëpër aktakuzat virtuale qesherake!
Kjo fushatë nuk është garë, kjo fushatë është e ardhmja e fëmijëve tuaj dhe e fëmijëve të mi, e sado që kjo tingëllon si sllogan politik, unë këtë mendoj dhe kjo më dhemb!
Edhe nëse të kishim gabuar ne sjellje, ne apo ju, nuk ka rëndësi, mendon se kjo do duhej të na hatërmbeste me njëri-tjetrin?!
Hatri ynë kushton sa fati i një populli!
Hatër i cili mund të lërë rrugëve fëmijët e të gjithëve…
Unë nuk di ç’të them, jam hutuar nga rrjedhat e papritura që morrën ngjarjet, nga disa biseda të sinqerta vëllazërore, papritur na gjuajtët 100 km larg, duke na lajmëruar nëpëmjet Facebook-ut për një takim…
Unë në fillim thashë do jetë lojë e ndonjë pirati kompjuterash, që është paguar për të bërë kështu budallëqesh për të bërë zhurmë, por u hutova komplet kur mora vesh me saktësi se thirrja vinte nga ju…
S’di si vendosët për atë ftesë ashtu?
Ajo ishte në fakt për ne si ftesa e Mospajtimit, ajo ishte një Mosardhshi!
Dhe mallkimi juaj zuri vend, ne nuk erdhëm!
Çfarë ju shtyu që papritur të ndërprisnit çdo komunikim me ne, çdo lidhje, të dilnit jashtë protokollit të deriatëhershëm, të na harroni emrat e numrat e telefonit, çfarë?
Ku gabuam se nuk e dimë…
Dëgjoni, sidoqë shkoi kjo punë, dua të dini që ju mbeteni miqtë e mi, jo vetëm ju, por çdo njeri që ashtu si ju,si unë e si shumë shqiptarë të ndershëm e sheh pastër e pa hilè këtë punë, dhe unë jam gati të betohem që ne nuk pamë kurrë ndonjë mundësi për të bërë ndonjë marifet!
Nuk di si do marrë kjo punë, kjo punë e cila duhej të ishte punë burrash e përfundoi punë fëmijsh…
Nga çështje kombëtare kaloi në një Aferë të Hidhur!
Mendoj se ne,duhet patjetër të sqarohemi në mos të paktën para popullit, se pse nuk u bashkuam…
Ju lutem ma bëni hallall që brenda kësaj letre keni lexuar brengën time apo dhimbjen time, por e nisa me shpirt këtë bashkëpunim e tash ndjehem i prerë në besë!
Pres përgjigje prej jush, si vëllai vëllait, si gjaku gjakut, si burri burrit, si shoku shokut, si shqiptari shqiptarit.
Sinqerisht
Miku juaj
Arben Taravari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *