Wednesday , September 26 2018

Taksa rrugore në “Rrugën e Kombit”, mund t’i dërgojë bizneset për në Maqedoni

Vendosja e taksës për qarkullim në autostradën “Rruga e Kombit” nga autoritete e Shqipërisë, ka ngjallur reagime të shumta te komuniteti i biznesit, sipas të cilëve kjo do ndikojë në përkeqësimin e marrëdhënieve tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas vendimit cili pritet të hyjë në fuqi më 17 shtator të këtij viti, të gjithë ata që udhëtojnë në “Rrugën e Kombit”, në pjesën e Shqipërisë, e cila është e gjatë 114 kilometra, për kalim në dy drejtime do të paguajnë tarifat për veturë 5 euro, autobusë dhe kamionë më peshë më të vogël, 11.2 euro, për kamionët e mesëm 16.2 euro dhe për kamionët e rëndë 22.5 euro.

Autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën ishte lëshuar në qarkullim në vitin 2009. Ndërkaq, Kosova përfundoi ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova” në vitin 2013.

Një nga kompanitë nga Kosova që për çdo ditë qarkullon në këtë autostradë është kompania e derivateve të naftës “AL – Petrol”. Menaxheri financiar i kësaj kompanie, Aziz Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë, se taksa është shumë e lartë dhe mund të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të produktit.

“Ajo që ne kemi kërkuar nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe së fundmi me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, ka qenë një zbritje ose një pagesë më e pranueshme për bizneset kosovare. Ose të jetë ajo që po aplikohet për banorët e Kukësit me rrethinë dhe mos të jetë taksë e njëjtë si për bizneset kosovare, si për bizneset tjera që e shfrytëzojnë ‘Rrugën e Kombit’ për shërbim ose bërje biznesi”, thotë Berisha.

Sipas vendimit të autoriteteve shqiptare, për përdoruesit e shpeshtë të autostradës, është parashikuar që për ata që realizojnë nga 10 deri në 30 kalime në muaj, zbritje në masën 10 për qind, mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, zbritje 20 për qind, kurse për mbi 50 deri në 60 kalime në muaj zbritje deri në 30 për qind.

Shqetësimin me çmimin e përcaktuar, në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) kanë shprehur sidomos bizneset që shfrytëzojnë “Rrugën e Kombit” për transport të derivateve, mallrave dhe agjencitë e udhëtimit.

Në një komunikatë për media të OEK-ut thuhet se vetëm gjatë një ditë nga 15 deri në 30 autobote të kompanive të derivateve të naftës shkojnë në Shqipëri dhe anasjelltas, e që gjithë kjo do rezultonte me shifër të papërballueshme financiare.

Për këtë, Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në riaktualizim të çështjes, në mënyrë që bizneset e Kosovës mos të kërkojnë alternativa tjera për transportin e mallrave, sidomos tashmë kur është në përfundim e sipër autostrada “Arbën Xhaferi”, që lidh Prishtinën më Shkupin.

Edhe Berisha nga Al -Petrol, pohon se nuk përjashtohet mundësia e shfrytëzimit të alternativave tjera për transportin e produktit.

“Realisht, alternativa tjera do jenë të obligueshme jo vetë, për biznesin tonë por edhe për gjithë bizneset tjera, për shkak se taksa e rrugës ndikon direkt në çmimin e produktit. Pastaj në rast se kemi furnizime më të lira në rajon, ne do të shikojmë alternativa të ndryshme”, thotë Berisha.

Edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, e konsiderojnë të lartë çmimin për taksën rrugore dhe thonë se për këtë vendim, autoritet shqiptare nuk janë konsultuar më autoritet në Prishtinë, pavarësisht faktit se frekuentimi i më i madh për në Shqipëri është i qytetarëve dhe bizneseve nga Kosova.

Rexhep Kadriu, zëvendësministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga muaji maj i kanë dërguar shkresë zyrtare,ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë në Qeverinë e Shqipërisë, Demian Gjiknuri, por deri më tani nuk kanë marr ndonjë përgjigje.

“Mirëpo, kjo taksë atakon drejtpërdrejtë qytetarët e Republikës se Kosovës, sepse frekuentimi më i madh i ‘Autostradës së Kombit’ është pikërisht nga qytetarët e Republikës se Kosovës. Nëse thirremi ne se është ‘Autostradë e Kombit’, atëherë për cilin komb po flitet, dhe realisht nuk janë marrë për bazë kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve tanë”, thotë Kadriu.

Qeveria e Shqipërisë, një vendim për zbatimin e taksës rrugore e kishte marrë në muajin prill, por që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kishte pezulluar taksën për shkak se kjo taksë ishte kundërshtuar me anë të protestave nga qytetarët e veriut të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët thanë se tarifa është shumë e lartë.

Sipas shifrave zyrtare, vetëm në vitin 2017 në kufirin me Shqipëri janë regjistruar mbi 2 milionë hyrje dhe dalje të automjeteve, kamionëve dhe autobusëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.