Tuesday , July 27 2021

Sulm i ri me bombë në Turqi, 8 të vdekur e 100 të plagosur

Një auto-bombë ka shpërthyer  në qytetin me popullatë shumicë kurde, Diyarbakir, në verilindje të Turqisë

Së paku tetë persona kanë vdekur, ndërsa 100 të tjerë janë plagosur si pasojë e shpërthimit të një auto-bombe në qytetin me popullatë shumicë kurde, Diyarbakir, në verilindje të Turqisë.

Këtë lajm e kumtoi kryeministri i Turqisë, Binalli Yilldirim, i cili për sulmin fajësoi ekstremistët kurdë. Ai më tutje shtoi se në mesin e të vdekurve është edhe një pjesëtar i dyshuar i Partisë Punëtore të Kurdistanit.

Në mesin e të vrarëve në Diyarbakir ka si civilë, ashtu edhe policë, tha ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag.

Zyra e guvernatorit të provincës njoftoi se në qytet ka shpërthyer një auto-bombë dhe se besohet se përgjegjëse për këtë sulm është Partia Punëtore e Kurdistanit.

Shpërthimi ndodhi në afërsi të ndërtesës, e cila është seli e policisë, ndërsa banorët theksuan se shpërthimi është dëgjuar në gjithë qytetin.

Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi që policia bastisi zyrat në Ankara të  partisë pro-kurde, Partia Popullore Demokratike, me ç’rast u arrestuan 11 deputetë, në mesin e tyre edhe kryetari i partisë, Selahatin Demirtash, i cili nga mediet botërore cilësohet si “Obama kurd”.

Avokatët e partisë theksuan se deputetët janë arrestuar, pasi që refuzuan të dëshmojnë për krimet, të cilat ndërlidhen me propagandë terroriste.

Turqia ka akuzuar Partinë Popullore Demokratike për lidhje me Partinë e ndaluar Punëtore të Kurdistanit./21Media

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *