Saturday , January 23 2021

“Suksesi” i BDI-së/ Besimi: Integrimet para dështimit total

Edhe zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi alarmoi humbjen e mundshme të rekomandimit për çeljen e negociatave. Pas takimit me zyrtarë të lartë evropian në Bruksel, Besimi theksoi se zbatimi i plotë i Marrëveshjes politike paralelisht me përmbushjen e reformave janë kusht i domosdoshëm për rekomandimin e sivjetmë të Komisionit Evropian. Sipas Besimit madje kjo është mënyra e vetme që Maqedonia të vazhdojë rrugën evropiane. Paralajmërimi i Brukselit vjen vetëm pak kohë përpara publikimi të raportit të progresit për vendet kandidate përfshi Maqedoninë.

Maqedonia mund ta humbë rekomandimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas dështimit të mbrëmshëm për arritjen e marrëveshjes politike. Siç mëson Alsat M, këtë e ka bërë të qartë numri 1 i Komisionit Evropian Johanes Han mbrëmë në Përzhino. Shansi i fundit për të ruajtur rekomandimin, siç ka thënë Han, është arritja e marrëveshjes në grupin e punës brenda ditës së sotme, kur skadon edhe afati i 20 tetorit, i parashikuar me Marrëveshjen e Përzhinos. Mbrëmë, komisari Han u nda i dëshpëruar nga dështimi.

“Shpresoj që e kanë kuptuar seriozitetin e situatës. Definitivisht nuk ishte ditë e mirë, por shpresoj që dita e ardhshme të jetë më e mirë për arritjen e marrëveshjes. Është e nevojshme që partitë politike të qëndrojnë në atë që janë marrë vesh më 2 qershor dhe 15 korrik, në mënyrë që të mbahet gjallë perspektiva evropiane. Sinqerisht, nuk mund të parashikoj se çfarë do të thotë kjo për aspiratat evropiane, por për momentin duhet lidership, përgjegjësi dhe kujdes për fatin e shtetit”, tha Johanes Han, komisari evropian për zgjerim.

Lideri opozitar Zoran Zaev nga ana tjetër theksoi se VMRO DPMNE po blen kohë dhe kujdeset më shumë për ndalimin e bombave se sa për ardhmërinë evropiane të vendit.

“Nuk mund ta kuptoj as unë, as ekipi ynë negociues, besoj as opinioni, se si është e mundur që për dikë të jetë më me rëndësi që nga këto 12 orë bisedime, 8-9 orë t’i harxhojë për Ligjin për ndalimin e bombave politike, se sa ardhmëria evropiane e qytetarëve të Maqedonisë”, u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Kryeministri Gruevski nuk u ndal për deklaratë para mediave pas përfundimit të takimit. Në vend të tij u prononcua deputeti Ilija Dimovski.

“Sidoqoftë është situatë e komplikuar që duhet të zgjidhet dhe mendoj se në ditët e ardhshme do të arrijmë të gjejmë zgjidhje dhe të mundësojmë zhvillim normal të raporteve politike në vend”, deklaroi Ilija Dimovski, deputet i VMRO DPMNE-së.

Siç mëson Alsat M, bisedimet e djeshme janë zhvilluar në 2 grupe pune, njëri që ka biseduar për Ligjin për ndalimin e bombave dhe Ligjin për mbrojtjen e informatorëve, dhe tjetri për Qeverinë dhe Komisionin Anketues Parlamentar për përgjegjësinë politike për përgjimin. Vështirësitë kryesore kanë qenë rreth Ligjit për bombat, ku VMRO DPMNE-ja ka kërkuar dënime rigoroze për mediat, ndërsa nuk ka pranuar propozimin e LSDM-së që ligji të jetë në përputhje me Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut dhe kjo të përkufizohet brenda tekstit. Kjo do të nënkuptonte se pavarësisht ligjit, do të ruhet ekskluziviteti i interesit shoqëror, para interesit individual. Në fund VMRO DPMNE-ja nuk pranoi as propozimi i komisarit Han, që formulimi të jetë “në përputhje me vlerat evropiane”. Kjo ka qenë e tepërt për komisarin Han i cili ka ndërprerë bisedimet pak pas mesnate dhe është kërcënuar me humbjen e rekomandimit. Pasi liderët shqiptarë Ahmeti e Thaçi kanë braktisur Përzhinon, Han ka tentuar t’i ulë sërish Gruevskin e Zaevin, duke lënë mënjanë bisedimet për bombat dhe duke u përqendruar në Ligjin për Qeverinë. Bisedimet kanë dështuar përfundimisht pas insistimit të VMRO DPMNE-së, që ministri i ri i brendshëm të mos ketë të drejtë të kryejë asnjë ndryshim në hierarkinë e MPB-së./AlsatM

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *