Thursday , April 22 2021

STATISTIKË: Mbi 100.000 maqedonas kanë marrë shtetësi evropiane

Eurostat

Nga viti 2005 që kur Maqedonia mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, gjithsejt 106.216 maqedonas (shtetas të Maqedonisë) janë bërë evropian me shtetësi dhe pasaportë, thotë hulumtimi i BIRN i bazuar në statistikat zyrtare të Eurostat, transmeton Fakte. Kjo do të thotë se gjithsejt më tepër qytetarë se banorët e dy qyteteve të  mëdha siç janë Manastiri dhe Strumica së bashku, janë bërë shtetas evropian. Më së tepërmi pasaporta për maqedonasit ka ndarë bullgaria.

Në 10 vitet e fundit 57.627 maqedonas kanë deklaruar “Unë jam bullgar”, duke vërtetuar kështu prejardhjen e tyre bullgare, si kusht për të marrë shtetësi të Bullgarisë.  Sipas të dhënave të Eurostat, për shtetësisë së Bullgarisë, brenda këtyre 10 viteve shtetasit e Maqedonisë janë furnizuar edhe me 48.589 pasaporta nga vende tjera të Shengenit. 17.764 prej tyre janë shtetësi zvicërane, 9870 të Italisë, 7542 të Gjermanisë, 3660 të Austrisë etj., shkruan Fakte. Qytetarët që kanë arritur të furnizohen me shtetësi dhe pasaportë të ndonjë shteti të BE-së ose të zonës Shengen, njëzëri deklarojnë se këtë e kanë bërë për të ikur nga ambisi në të cilin është gjetur Maqedonia dhe mungesa e shpresës për një të ardhmë në këtë vend.

OECD

Sipas të dhënave të fundit të OECD (Organizata për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik) vetëm në vitin 2014 Maqedoninë e kanë lëshuar 21.003 qytetarë. Ky numër thyen rekordet e personave të shpërngulur nga vendi ynë në 15 vitet e fundit. Nga këta 14.650 kanë kërkuar qëndrim në Gjermani, 1450 në Austri dhe 1392 në Zvicër. Sipas OECD që nga viti 2000, Maqedoninë e kanë lëshuar 171.730 veta.

Banka Botërore

Para pak kohësh Banka Botërore shpalli të dhëna frapante në lidhje me numrin e personave që kanë ikur nga Maqedonia në kërkim të një jete më të mirë. Sipas BB deri në vitin 2013, në periudhë 50 vjeçare Maqedoninë e kanë lëshuar përgjithmonë 626.312 persona. Në këtë raport thuhet se nga vendet e Ballkanit vetëm pas të 90-ave janë shpërngulur rreth 4.9 milin njerëz, kryesisht të rinj. Ky numër korespondon me rreth 1/4 e popoullsisë së përgjithshme, thuhet në raportin e Bankës Botërore./FAKTE.Net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *