Monday , October 22 2018

“Skena e muzikës serioze shqiptare” vazhdon, të shtunën dhe të dielën sjell koncerte (VIDEO)

Manifestimi “Skena e muzikës serioze shqiptare” vazhdon me aktivitete. Dje në Qendrën për Kulturë të Tetovës realizoi koncertin me ansamblin e muzikës bashkëkohore “Sonoris”, të shtunën sjellë artistët instrumentistë si Blerim Grubi, Sihana Badivuku, Aristidh Prosi, ndërkaq të dielën, sopranon Inva Mula, njofton Portalb.mk.

Në kuadër të manifestimit “Skena e muzikës serioze shqiptare” dje janë ndarë çmimet për fituesit e konkursit për kompozitorët e rinj. Me jurinë në përbërje të Vullnet Tairit – kompozitor, Elvis Duro – kompozitor dhe Shkëlzen Baftiari – pianist, çmimi i parë i takoi “Skerco për klarinetë dhe piano” – Arta Abazit, çmimi i dytë shkoi për “Temë me variacione” – Enerik Gjishtit dhe çmimi i tretë për “Suitë për piano” – Jusiald Xhanit.

Aktivitete do të ketë edhe të shtunën, më 28 prill ku me fillim prej ora 19:00, në sallën e Qendrës për Kulturë, do të shfaqet “Trio Kosova”, të përbërë nga tre instrumentistë të njohur dhe virtuoz, Sihana Badivuku – violinë, Blerim Grubi – violë dhe Aristidh Prosi – violonçelo. Hyrja për këtë koncert do të jetë e lirë.

Koncerti i fundit për këtë javë do të jetë gala, nga sopranoja Inva Mula, i cili do të mbahet ditën e dielë, më 29 prill në ora 19:30, në sallën e Qendrës për Kulturë. Ky koncert do të hapet me premierën e veprës “Sinfonia Nuredini” nga kompozitori Meinhard Rudenauer, simfoni dedikuar tetovarit Haki Nuredini. Hyrja për këtë koncert do të jetë me bileta, të cilat do të kenë çmim simbolik dhe të kapshëm për të gjithë.

Aktiviteti i fundit i manifestimit “Skena e muzikës serioze shqiptare” do të jetë koncerti i Orkestrës Rinore të Shqiptarëve të Maqedonisë, nën udhëheqjen e dirigjentit të ri nga Maqedonia Premtim Etemi, që do të mbahet më 3 maj, kurse kulminacion tjetër i këtij manifestimi është koncerti i “Tre Tenorëve dhe Orkestrës Filharmonike Ibrahim Madhi” me solist Josif GjipaliAdrian Xhema dhe Kastriot Tusha.

Ndërkaq më 17 prill, në Qendrën e Kulturës “Skena e muzikës serioze shqiptare” me sopranen Nita Zenuni ngjiti në skenë disa nga romancat më të bukura shqiptare. Me piano, Nita Zenuni u shoqërua nga Shkëlzen Baftiari ku interpretoi  “Bylbyli” nga L.Dizdari, “Moj e bukura More”, “Dashnor tu bana”, “Pranvera filloi me ardhë”, “Nostalgji”, “Shoqe kemi hanën”, “O moj e bukur Arbëri” dhe “Agimet shqiptare”. Koncerti i Zenunit ishte ndërthurur me interpretimet e disa nxënësve dhe studentëve të muzikës, Elhan Memishi, Era Azemi, Aulona Vejseli dhe Betim Shabani, të cilët performuan po ashtu disa këngë të zgjedhura shqiptare.

Nën organizimin e shoqatës “Allegretto”, manifestimi “Skena e muzikës serioze shqiptare” nisi më 27 prill, me koncertin e “West Coast Symphony Orchestra” me dirigjent Bujar Llapaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.