Edhepse vite me radhë kuadro shqiptare po udhëheqin me resorin e integrimeve, ndërsa Ali Ahmeti trumbëton se i ka lënë anësh edhe çështjet etnike, asnjë shqiptar nga kabineti qeveritar nuk u gjet në ekipin e udhëtimit. Maqedoninë do ta prezantojë delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Emil Dimitriev. Në përbërje të delegacionit do të jetë edhe zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Vlladimir Peshevski, zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki dhe drejtori i Agjencisë për sport dhe rini Marjan Spasevski, shkruan Fakte.
Qëllimi i Procesit të Berlinit është që të mbështeten përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në afrimin e tyre drejt BE-së me përforcimin e bashkëpunimit rajonal përmes iniciativave konkrete.
Në Samit do të marrin pjesë edhe kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, i Kosovës Isa Mustafa, i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi Millo Gjukanoviq, si dhe kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Denis Zvizdiq.
Përveç kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samit do të marrin pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri italian Mateo Renci, kancelari austriak Kristijan Kern, nënkryetari i KE-së dhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri Federika Mogerini, eurokomisari për zgjerim Johanes Han, si dhe kryeministrat e Sllovenisë dhe të Kroacisë, Miro Cerar dhe Tihomir Oreshkoviq.
Samiti i shefave të shteteve dhe qeverive në të cilin do të marrë pjesë kryeministri Dimitriev do të fokusohet në tre tema: migrimi dhe refugjatët, bashkëpunimi në fushën e sigurisë, lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmi dhe perspektivat evropiane.