Në vitin 2013, ministri i atëhershëm për ekonomi nga radhët e BDI, Valon Saraçini, publikoi se kompanisë kroate „Mali Loshinj“ do t’ia ndajë koncesionin për shfrytëzimin e ujit në burimin në afërsi të fshatit Gari të Dibrës, në vetë kufirin me Parkun kombëtar “Mavrova”. Investuesi nga Kroacia, do të ketë mundësi ta shfrytëzojë, ta paketojë dhe ta shesë ujin nën markën “Maja”.

Muajin e kaluar fabrika zyrtarisht u hap dhe u vu në punë, ndërsa autoritetet e Maqedonisë thanë se investimi i përgjithshëm është 14 milionë euro. Uji i prodhuar në këtë fabrikë është dedikuar kryesisht për eksport, i cili tashmë është përcaktuar, kryesisht në vendet fqinje, shtetet arabe, Kroaci dhe Rusi.

Portali “Tportal” zbulon se pronarët e fabrikës nuk janë kroatët emrat e të cilëve qëndrojnë në dokumentet zyrtare, por janë rusë.

Në regjistrin e Maqedonisë si pronar janë regjistruar Dashmir Abdija dhe Branimir Kojiq. I pari është pastiçer nga ishulli Loshinj i vogël në Kroaci, ndërsa i dyti është avokat lokal. “Tportal” shkruan se hulumtimi i tyre ka filluar prej kur ata janë befasuar se si një pastiçer dhe një avokat nga ky vend i vogël kanë grumbulluar para për një investim të madh të këtillë në Maqedoni.

“Investimi im dhe i Abdisë janë shumë të vogla dh vështirë dikush mund të na quaj investitorë. Në kapitalin themelor pas kapitalizimit përfundimtar do të marrim pjesë me më pak se një për qind”, thotë avokati Kojiq në një deklaratë për median kroate.

Ai më tej sqaron se ata akoma janë të regjistruar si pronarë të fabrikës në Maqedoni, por vetëm në letër, ndërsa paratë janë të kompanisë “UK Promsvuaz” – shoqëri për menaxhim me fonde në Rusi. Në pronësi të kësaj kompanie është edhe njëra nga bankat më të mëdha në Rusi – “Promsvuaz”, pas të cilës qëndrojnv Aleksej dhe Dimitri Ananijev, ndërmarrës rus që peshojnë me miliarda dollarë. Sipas portalit “Tportal” këtë e vërteton edhe avokati Kojiq.

Përndryshe në hapjen solemne të këtij investimi ishte i pranishëm i tërë kreu i BDI, ndërsa institucionet nuk përmendnin që paratë jаnë ruse e jo kroate./Telegrafi