Wednesday , July 28 2021

Shqiptarët nuk duhet ta votojnë vetë-skllavërimin e tyre

Shkruan: Prof.dr. Arlinda Memetaj

Mbi 25 vjet votuesi shqiptar gënjehet, përçahet dhe detyrohet të votojë “padronët”, ata të cilët kanë fuqinë dhe pushtetin të vendosin për jetën, për bukën apo për skamjen e tyre. E nga ana tjetër, votuesi shqiptar për këto vite voton për vetë-skllavërimin e tij. E këtë element tani duket qartë që e kanë kapur edhe partitë maqedonase, të cilat shkojnë me projekte (rrugë, ujësjellës dhe kanalizime) nëpër lagjet shqiptare dhe kërkojnë votat e tyre.

Ora e zgjedhjeve në Maqedoni filloi të numërojë mbrapsht. Por përgatitjet për këtë ngjarje, ka kohë që kanë filluar me kalkulime, koalicione dhe matematika, në emër të numrit, e jo të votuesit. Gjithçka është në lojë, përveç moralit, etikës, sjelljes së mirë dhe frymës demokratike. Të gjitha partitë e mëdha, tradicionale, kanë filluar të kalkulojnë numrat e tyre, sa kanë punësuar, sa anëtarë në familje kanë, sa fqinj, sa pensionistë, sa maturantë, sa studentë, sa thasë me miell, sa tuba me para për t’i blerë, sa të fortë do të jenë që të “marrin vota”, njëjtë si në proceset e kaluara zgjedhore, me një diferencë pikante.

Në këto zgjedhje haptazi shihet tendenca e partive maqedonase që të tërheqin sa më tepër votues shqiptarë, duke u ofruar pazarllëqe nga më të ulëtat, ashtu siç u ofronin edhe partitë shqiptare. Mesa duket partitë maqedonase e kuptuan se sa lehtë u mashtrua elektorati shqiptar, se gjetën dhe shfrytëzuan momentin kur këta shqiptar ishin në një vakuum periudhe të zhgënjyer nga vet situata aktuale politike dhe në pritje të ndryshimeve që a do të ndodhin apo jo. Humbja e besimit tek populli po i nxit me të madhe LSDM-në dhe VMRO-në që të përfitojnë nga kjo situatë. Por shpresa vdes e fundit. Votuesi shqiptar kësaj rradhe e ka fatin e tij në duart e veta. Para disa dekadave, një njeri i madh (Martin Luter King) pat thënë: “Fillimi i fundit të jetëve tona fillon në momentin kur heshtim ndaj gjërave që kanë rëndësi për ne”. Dhe në fakt, kur nuk ekziston morali tek krerët politikë, atëherë pse dikush mund të kërkojë të zbatohen rregullat e moralit tek votuesi i zhgënjyer me vite të tëra, i cili ka dhënë votën e tij për të siguruar një të ardhme më të mirë për shoqërinë, familjen e vet.

Ne nuk duhet ta harojmë historinë. As para një dekade partia që ishte në pushtet nuk ishte më e hijshme nga kjo që është, ndoshta edhe më keq. A thua u haruan aq lehtë fyerjet ndaj nesh që shkuan deri në atë skajshmëri sa që kërkuan komora të gazit për shqiptarët “Za shiptarite – gasna komora”. E mos t’i përmendim edhe thëniet dhe gjëra të tjera, se aq banalizëm dhe antishqiptarizëm ka sa që do të hiqen lehtë maskat e protagonistëve të sotëm. Edhe në të kaluarën kemi pasur shumë raste kur politikanët e individët shqiptarë kanë punuar për interesat e ngushta të partive joshqiptare, por e gjithë kjo bëhej në forma sekrete. Populli e shihte këtë, por nuk e dinte me saktësi se deri në çfarë masë mund të shkonte servilizmi i prijësve shqiptarë ndaj padronëve të tyre maqedonas. Nga përgjimet pamë shumë mirë se kush për kë punonte, andaj politikanët e tillë nuk kanë as fytyrë e as nder që të dalin para elektoratit shqiptar dhe të kërkojnë votat e tyre në këmbim të shërbimeve të tyre ndaj popullatës, sepse ata e dëshmuan disa herë se janë shërbëtorë të dëgjueshëm, por jo të popullatës që i voton ata. Imagjinoni edhe sa shqiptarë të tjerë duhet të vriten, të përgjaken, të terrorizohen, të burgosen apo të keqtrajtohen, për t’u përmbushur agjendat e politikave nacionaliste antishqiptare, që sigurojnë vota në elektoratin maqedonas, e nga ana tjetër as partia në pushtet e as partia në opozitë të mos reagojnë aspak. Jo rrallë herë, me sjelljet e tyre, ata dëshmuan se më i rëndësishëm për ta është pushteti sesa interesat e njerëzve që ata i përfaqësojnë.

Këto lëvizje politike kanë filluar të pranojnë edhe njerëz të njohur nëpër rradhët e veta, me qëllim që nëpërmjet tyre të përfitojnë sa më shumë përkrahës nga tabori i shqiptarëve. Kalimi i dy tre eksponentëve në krahun tjetër, nuk është aspak shqetësues, sepse vetëm këta njerëz lëvizin kah fryn era, ndërsa populli jo. Por ata duhet ta dijnë dhe ta kuptojnë porosinë dhe strategjinë e tyre. Ndoshta fillimisht përfitohen vendet ose “karriget” e kontarktuara, por si kalon koha ata do të shkrihen. Historikisht partitë politike maqedonase asnjëherë nuk kanë lejuar që shqiptarët të bartin përgjegjësi të madhe politike dhe pikërisht për këtë është koha e fundit për unifikimin e votës shqiptare, e cila do ta fitojë mandatin për t’i zgjedhur problemet shekullore të shqiptarëve.

Në prag të këtyre zgjedhjeve, elektorati shqiptar duhet ta kuptojë rëndësinë e votës së vet dhe të votojë përfaqësues të denjë, të cilët nuk kanë hipoteka tek “padronët” dhe këmbëngulin për të drejtat e shqiptarëve, pa bërë asnjë kompromis me interesat e kombit dhe mbi të gjitha të dëshmojnë se asnjë pushtet nuk është më i rëndësishëm se sa jeta dhe mirëqenia e popullit të tyre.

Por, unë i besoj shumë faktit se në trupin tonë rrjedh gjaku shqiptar dhe në momentin më të rëndësishëm, do të vendosim për shqiptari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *