Saturday , October 20 2018

Shqiptarët, më të varfërit në Rajon

Republika e Kosovës vazhdon të ketë vlerat më të ulëta të BrutoProduktit Vendor(BPV) për kokë banori, krahasuar me vendet e rajonit.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, BrutoProdukti Vendor për vitin 2017 ishte mbi 6.4 miliardë euro, kurse Bruto Produkti Vendor për kokë banori ka qenë 3,566 euro, përderisa rritja reale ekonomike ka qenë 4.2 për qind.

Bruto Produkti Vendor është treguesi kryesor dhe më i rëndësishëm makroekonomik në Sistemin e Llogarive Kombëtare, i cili paraqet rezultatet finale të prodhimit në të gjitha aktivitetet e njësive prodhuese rezidente.

Bruto Produktit Vendor është llogaritur sipas tri elementeve: qasja e prodhimit, qasja e shpenzimeve dhe qasja e të ardhurave në Republikën e Kosovës.

Bruto Produkti Vendor për kokë banori në vendet e rajonit dhe në Kosovë, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për vitin 2017 është:

Mali i Zi – 6,646 euro

Serbia – 5,126 euro

Maqedonia – 4,757 euro

Bosnja dhe Hercegovina – 4,473 euro

Shqipëria – 3,983 euro

Kosova – 3,372 euro

Pavarësisht faktit se Kosova llogaritet e fundit sa i përket standardit jetësor, krahasuar me vendet e rajonit, të dhënat e Agjencisë të cilat përfshijnë periudhën 2008- 2017 tregojnë se gjatë kësaj periudhe, vazhdimisht ka pasur rritje të BPV-së, pasi në vitin 2008 kjo normë ka qenë 2.200 euro për kokë banori.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike e konsiderojnë të pamjaftueshëm këtë vlerë për të adresuar problemet thelbësore që i ka Kosova.

Ismail Kastrati, ish-kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se megjithëse viteve të fundit ka pasur rritje të nivelit të Bruto Produkti Vendor për qytetarët e Kosovës, kjo normë nuk ka arritur ta zbusë papunësinë dhe varfërinë.

“BPV në Kosovë ka ecur më një ritëm relativisht të mirë, por jo për të zënë Bruto Produktin për kokë banori të vendeve të rajonit dhe për të zvogëluar shkallën e papunësisë se lartë në Kosovë. Zakonisht BPV këto 17 vjetët është rritur mesatarisht 3.6 për qind, që nuk siguron zvogëlim të papunësisë dhe nuk e zë hapin me vendet e rajonit”, thotë Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.