Wednesday , December 12 2018

Shqipëri: Arrestohen dy amerikanë për trafik droge

Dy shtetas amerikanë janë arrestuar nga policia në pikë kufitare të Morinë nën akuzën e trafiku të lëndëve narkotike, në bashkëpunim me agjencitë ligj zbatuese amerikane.

Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit ka bërë me dije se amerikanët janë arrestuar pas një hetimi 1-mujor, ku në kuadër të operacionit “Sintetiku” në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe DEA-n arriti të zbulojë bazën ku fshiheshin 2 amerikanët.

Në zbatim të letër porosisë të autoriteteve amerikane, si dhe pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për zbatimin e saj, Departameti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe DEA-n amerikane pas një pune të mirë organizuar finalizuan me sukses operacionin e koduar “Sintetiku”, ku u arrestuan 2 shtetas amerikane: Vincent (Dominic) De Caro, 29 vjeç, lindur dhe banues në New York, USA; Arber Isaku, 29 vjeç, lindur dhe banues në New York, USA.

Ndaj tyre, Gjykata e Connecticut, SHBA kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope” kjo vepër e kryer nëpërmjet ‘dark web’.

Këta shtetas raportohet se ishin nën hetim prej 1 viti nga DEA. Ata kishin krijuar bazë dhe fshiheshin në Tiranë, ku po përgatiteshin për të prodhuar drogë sintetike.

Pas marrjes së letër porosisë dhe vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për ekzekutimin e saj, Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, pas 1 muaj hetimi në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe DEA-n arriti të zbulojë bazën ku fshiheshin 2 shtetasit.

Gjatë kontrollit në bazën ku fshiheshin dhe zhvillonin aktivitetin kriminal këta shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan mjetet dhe prekursorët që do të shërbenin për përgatitjen e drograve sintetike si edhe një numër i madh pajisjesh elektronike.

Shtetasit e mësipërm u mbajtën nën vëzhgim nga agjentët e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe u arrestuan në Morinë, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria.

Në operacion kanë marrë pjesë edhe agjentë e DEA-s. Për arsye hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera.

Operacion dëshmon seriozitetin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë për të luftuar krimin e organizuar, gadishmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligj zbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe rikonfirmoi edhe njëherë besimin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe agjencive ligj zbatuese amerikane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.