Shkup, konferencë mbi respektimin e të drejtave të njeriut gjatë proceduarave policore

Në Shkup sot u mbajt një konferencë për promovimin e programit të përbashkët “Forcimi i respektimit të të drejtave të njeriut gjatë procedurave policore”, e bashkë-financuar nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës, si pjesë e programit horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, transmeton Fakte.

Konferencën e hapi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili theksoi se ky projekt është vazhdim i aktiviteteve të realizuara më parë në kuadër të projektit “Mbështetje për vendosjen e një mekanizmi të jashtëm të pavarur për mbikëqyrjen e policisë”, të implementuar nga Këshilli i Evropës me mbështetje financiare nga Mbretëria e Holandës.

“Gjatë marrjes së aktiviteteve në kuadër të kompetencave të tyre, policia në mënyrë rigoroze duhet të respektojë të drejtën e jetës dhe në meënyrë njerëzore të sillet ndaj çdo personi, pavarësisht nëse personi kërkon mbrojtje nga policia apo është ai që shkel ligjin dhe ka kryer ndonjë krim. Gjatë ndërhyrjes policia është e detyruar të respektojë kriteret e ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe mosdiskriminimit si dhe çdo oficer i policisë duhet të jetë përgjegjës individual për veprimet e tij gjatë kryerjes së detyrave policore”, tha ministri.

Spasovski theksoi se personalisht është angazhuar për profesionalizimin e plotë të policisë dhe për një polici në krye të detyrës, e cila merr rolin e saj serioz në shoqëri.

“Zbatimi i suksesshëm i projektit, të cilin sot zyrtarisht po e promovojmë, pres që të ndihmojë procesin në krijimin e një mekanizmi të pavarur dhe efikas për kontroll mbi funksionimin e organeve të zbatimit të ligjit në shtet, rreth së cilës ministria tashmë është duke punuar”, theksoi Spasovski.

Sipas koordinatores së programit horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Tanya Van Dyke, fokusi i projektit do të jetë mbi të drejtat e njeriut në polici dhe do të zgjasë 18 muaj.

“Ky program në tërësi është i fokusuar për të ndihmuar autoritetet në zbatimin e rekomandimeve të organeve të ndryshme monitoruese të Këshillit të Evropës dhe në këtë mënyrë të ndihmohet përafrimi i vendit me BE-në”, ka thënë Van Dyke.

Shefi i bashkëpunimit, Nicola Bertolini tha se është shumë e rëndësishme që të mbështeten rekomandimet e Këshillit të Evropës, standardet ndërkombëtare të drejtësisë, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit, pastrimi i parave, anti-diskriminimi, të drejtat e njeriut dhe besojmë se këto janë qëllimi ynë i përbashkët.

“Ne do të mbështesim vendin drejt përmirësimit të standardeve dhe aktiviteteve. Pas negociatave të gjata në arritëm këtë program i cili përfshin një numër projektesh. Bëhet fjalë për barazinë para ligjit. Kjo do të thotë pajtueshmëri më të madhe me standardet që përdoren në BE. Kjo është një mundësi e madhe për policinë në të gjithë vendin që të arrijë besimin e qytetarëve dhe qytetarët të kuptojnë se puna e policisë është për të mirën dhe sigurinë e tyre”, tha Bertolini./AA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *