Wednesday , January 20 2021

SHIK-u i Berishës fajësohet për vrasjen e Remzi Hoxhës

20 vjet pas zhdukjes së Remzi Hoxhës, familjarët ndiejnë se procesi për dënimin e vrasësve të Hoxhës po ecën në rrugë të mbarë.

Në një intervistë për Rubikon, i biri i tij, Adrian Hoxha, ka rrëfyer prapaskenat e gjithë procesit 20-vjeçar në përpjekje për të gjetur vrasësit e të atit nga njerëzit e Sali Berishës dhe gjetjes së eshtrave të tij.

Hoxha ka thënë se vetëm pas 20 vjetësh arritën t’i dëshmonin opinionit se Sali Berisha ka gisht në vrasjen e Remzi Hoxhës.

“Ka përfunduar një proces gjyqësore dhe vetëm pas 20 vjetësh arritëm të dëshmonim se ShIK-u i Berishës e ka bërë këtë punë. Fakti i dëshmimit të fajësisë së Ilir Kumbaros dhe emri i dy aktorëve kryesorë të përfshirë në zhdukjen e babit tim, në qeverisjen e mëvonshme të Berishës, Bashkim Gazidede dhe Arben Sefgjini, flasin më mirë për atë se kush ishte fajtori kryesor për zhdukjen e tij”.

Hoxha më tej ka thënë se për procesin janë angazhuar edhe veprimtarë të tjerë, por që, sipas tij, shumë herë janë kthyer mbrapsht nga kërcënimet e marra direkt nga Sali Berisha, transmeton Koha,net.

“Shumë njerëz kanë hasur në vesh të shurdhër ose Berisha u ka thënë se nuk është punë për juve, ka pasur raste kur edhe u ka thënë mos u merrni me këtë çështje se u shkon koka”.

Sipas tij, i ati i tij ishte futur në listën e zezë të Berishës, pas ai kishte menduar se ai posedonte xhirime të takimit të tij më 1993 mes Millosheviqit, Kiro Gligorovit dhe Berishës që në atë kohë ishte president i Shqipërisë, e që mendohet së Shqipëria e kishte furnizuar me naftë Serbinë, ndaj të cilës kishte embargo për shkaktimin e luftërave në Ballkan.

Por, sipas rrëfimeve që Adrian Hoxha ka dëgjuar nga shokët e të atit, ai nuk i posedonte këto xhirime, por kishte ndodhur rastësisht të shihte po ashtu edhe takimin me Bashkim Gazidedës me Arkanin në Shkodër.

Por Hoxhës i vjen keq fakti që kosovarët Berishën e shohin së Baba të Kombit, pasi, sipas tij, historia do ta dëshmojë se nuk ka asnjë njëri më antishqiptar se Berisha.

Deri sa Gjykata e për Krime të Rënda në Tiranë kishte dënuar me 15 vjet burgim Ilir Kumbaron për vrasjen e Hoxhës, ai vazhdon të jetë në arrati.

Por Hoxha, i cili thotë se ka shpresë se Kumbaro do të gjendet dhe do t’i shpjerë ata deri tek eshtrat e të atit.

Hoxha madje ka shpjeguar edhe faktin se kishin arritur të zbulonin vrasësit e babait duke u nisur nga një numër targash e deri të përfshirja e gjithë akteve kryesore të SHIK-u.

Për Rubikon ai ka potencuar se lidhjet e forta të Berishës me sistemin e drejtësisë po e prolongojnë një gjë të tillë, duke hedhur akuza edhe ndaj presidentit Nishani.

“Fakti se Nishani vjen nga radhët e PD-së dhe fakti që ai është kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, tregon edhe arsyen pse dënimi për Kumbaron nuk po fuqizohet. Ka dy vjet e gjysmë që procesi ka shkuar në Gjykatën e Lartë, por asnjë seancë e vetme nuk është mbajtur për këtë rast dhe kjo për faktin se vetë Bujar Nishani vjen nga PD-ja e Berishës”.

Por Hoxha ka varur shpresat te kryeministri Edi Rama, i cili, sipas tij, ka fuqi për ta zgjidhur rastin. “Nëse Rama do, brenda javësh do të dënohen vrasësit e babait tim”, ka theksuar Hoxha./KOHA.Net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *