Tuesday , June 22 2021

Shefqet Krasniqi akuzohet se ka shtyrë të rinjtë t`u bashkohen organizatave terroriste ISIS dhe “Al Nusra”

Venera Ademi kishte fituar tri çmime në fushën e muzikës, derisa ishte duke ndjekur mësimet në shkollë fillore. Kishte ndjekur edhe shkollën e pianos. Mirëpo, sjellja e saj kishte filluar të ndryshonte në shkollë të mesme.

Bashkë me disa shokë e shoqe të klasës kishin filluar të shkonin rregullisht në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Për dy muaj rresht nuk kishte dalë nga shtëpia dhe vazhdimisht kishte dëgjuar në kompjuter ligjëratat e imamit të kësaj xhamie, Shefqet Krasniqi. Pas një kohe ajo ishte arratisur në Siri, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo është vetëm një pjesë e rrëfimit të nënës së Venerës, e përfshirë në aktakuzën kundër imamit Krasniqi, e cila u ngrit të hënën nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Krasniqi, sipas këtij dokumenti që e ka siguruar “Koha Ditore”, gjatë viteve 2013-2014, në cilësinë e imamit të Xhamisë së Madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi kishte shpërndarë mesazhe për publikun, kryesisht në mënyrë indirekte. Përmes tyre, sipas prokurorisë ai ka shtyrë qytetarët që të marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak, duke kryer kështu vepra terroriste.

Si pasojë imami është akuzuar për veprën penale: shtytje për kryerjen e veprave terroriste. Po ashtu, akuzohet edhe për dy vepra të tjera penale: nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, si dhe për shmangie nga tatimi./Koha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *