Wednesday , July 28 2021

Serwer: Kujdes nga islami politik i Erdoganit

“A mund të imagjinohet Kosova të mbetet imune në atë që po ndodh në pjesën tjetër të botës, unë do të thosha se ju jeni një vend i vogël. Erdogani ka krijuar probleme të mëdha për veten e tij dhe në këtë pikë unë nuk e di se nëse ai domosdoshmërisht do të mbetet një faktor i rëndësishëm në Kosovë”, ka thënë analisti amerikan Daniell Serwer

Kosova nuk mund të mbetet imune ndaj ndikimeve globale e aq më tepër që në Ballkan është bërë një arenë interesash, në të cilën tashmë përpos Turqisë është përfshirë edhe Rusia. Analisti amerikan, Daniell Serwer, në një intervistë për “Zërin” paralajmëroi se gjithmonë do të ketë forca më të mëdha sesa Kosova që përpiqen të shtrijnë influencë për agjenda të tyre.

“A mund të imagjinohet Kosova të mbetet imune në atë që po ndodh në pjesën tjetër të botës, unë do të thosha se ju jeni një vend i vogël. Erdogani ka krijuar probleme të mëdha për veten e tij dhe në këtë pikë unë nuk e di se nëse ai domosdoshmërisht do të mbetet një faktor i rëndësishëm në Kosovë”, ka thënë Serwer. Ai ka të njëjtin mendim në lidhje me Putinin që ka krijuar probleme të mëdha për veten e tij dhe tani ai në mënyrë të qartë është duke ndërhyrë në Ballkan në një mënyrë absolutisht të papranueshme.

“Ju duhet të mësoni sesi ta mbroni veten nga këta njerëz, pasi gjithmonë do të ketë forca më të mëdha sesa Kosova që përpiqen të rrëmbejnë vendin tuaj dhe që përpiqen të rrëmbejnë popullin tuaj, prandaj ju duhet të mësoni sesi ta mbroni veten tuaj”, ka thënë në pjesën e dytë të intervistës për “Zërin” Serwer.

Ai thotë se nuk janë problem njerëzit që shkojnë në xhami dhe nuk mund të fajësohen për këtë, por, sipas tij, problem është islami politik. “Nuk do të dëshiroja ndalimin e ndërtimit të xhamive, nuk do të ishte e përshtatshme në një vend demokratik, kështu që pyetja me të vërtetë është se si ju e trajtoni interesimin në rritje për fenë dhe islamin politik sidomos në Kosovë. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është që të bëni sekularizmin tërheqës”, ka thënë mes tjerash Serwer. Ai madje shprehet i indinjuar në shkrimin e publikuar në “New York Times” për radikalizmin në Kosovë, duke thënë se nuk pajtohet me të gjeturat e tij, me aq sa ky e njeh Kosovën.

“Jam i indinjuar për artikullin e ‘New York Times’, ishte i bezdisshëm, pika kryesore është se artikulli fliste për ekspansionizmin e sauditëve, unë pajtohem me këtë dhe mendoj se artikulli ishte i mirë në këtë temë. Në pikat ku mendoj se artikulli ishte i keq është se nuk i ka përfshirë detajet në lidhje me masat e ashpra të ndërmarra nga Qeveria e Kosovë”, ka thënë Sewer.

Ai shtoi se radikalizmi fetar, jo feja, nuk është vetëm një kërcënim për të në Washington, “është kërcënim për Hashim Thaçin më shumë se për mua, është një kërcënim më i madh për njerëzit që jetojnë në Bosnjë, kështu që njerëzit gjithmonë mbesin të habitur, pasi amerikanët ndihmuan për të fituar pavarësinë dhe sovranitetin dhe se ata presin nga ju vetë t’i trajtoni problemet tuaja, kështu ne e kuptojmë pavarësinë dhe sovranitetin, për t’i trajtuar vetë problemet tuaja”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *