Saturday , June 19 2021

Serbia tërheq ambasadorin e saj në BE për shkak të ekspozitës kushtuar një kardinali kroat

Qeveria serbe hoqi me procedurë të përshpejtuar, ambasadorin e saj pranë Bashkimit Evropian, Dushko Lopandiç, pasi ky i fundit nuk njoftoi Beogradin për një ekspozitë të hapur në Parlamentin Evropian kushtuar kardinalit kontrovers kroat, Alojzije Stepinac, për të cilin Zagrebi kërkon shenjtërimin e tij, ndërkohë që Serbia e konsideron një kriminel dhe e ka akuzuar për bashkëpunim me regjimin fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Lopandiç do të zëvendësohet nga Ana Hrustanoviç, ambasadore e Serbisë në Itali. Ekspozita kushtuar kardinalit Stepinac, e kërkuar dhe e organizuar nga eurodeputetët kroatë ka ngjallur reagimin e fortë të Beogradit, me një protestë zyrtare nga ana e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç.

Ndërkohë, në një letër dërguar ministrit Daçiç, ambasadori Lopandiç kritikon vendimin ndëshkues, i marrë me nxitim, në shkelje të procedurave diplomatike dhe pa asnjë konsultim.

“Kjo ndodh kur në Serbi nuk ka ende një qeveri të re dhe kur ajo është në një fazë të rëndësishme të bisedimeve për anëtarësimin në BE”, thekson ambasadori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *