Wednesday , December 12 2018

Serbia humb 500 milionë euro nga taksa 100 %

Humbjet që i shkaktohen Serbisë dhe Bosnja e Hercegovinës karshi taksës së vendosur për produktet e këtyre shteteve nga Republika e Kosovës, sipas disa të dhënave tregojnë se eksporti i Serbisë është 17 miliardë euro, nga të cilat brenda vitit 500 milionë euro përfundojnë në Kosovë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 21 nëntor 2018, përmes të cilit vendoset masë 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ka shkaktuar eufori tek shqiptarët e Kosovës. Derisa serbët e Kosovës sikurse edhe ata në Beograd po mundohen që fajtorin ta gjejnë brenda qeverisë së Kosovës.

Këndvështrimet për këtë taksë janë të ndryshme, por dy janë kryesoret – ndikimi i taksës në ekonominë e shteteve që nuk njohin njëra tjetrën – Serbisë, Kosovës dhe Bosnjës por edhe aspektet politike të taksës, raporton televizioni publik.

Për Serbinë dhe BeH, Kosova nuk ekziston si shtet. Ndërkohë, të dy këto shtete alarmojnë karshi vendimeve të një shteti që për ta është fantom.

Në planin praktik, pas vendosjes së kësaj takes, në kufirin kosovar deri në mesin e kësaj jave kanë arritur të depërtojnë vetëm 38 kamionë me mallra nga Serbia dhe 11 nga Bosnja. Këta kamionë, kanë paguar rreth 150 mijë euro masë mbrojtëse për të hyrë në Republikën e Kosovës.

Por, derisa shqetësim në Serbi është humbja ekonomike rreth 500 milionë euro në vit nga eksporti kundrejt Kosovës, në Kosovë shqetësim mbetet ngritja e çmimeve.

Buka nga 30 centë është shtrenjtuar në 40 centë, pasi Kosova furnizimin kryesor me miell e bën nga Serbia.

Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2017 Serbia ka eksportuar 17 miliardë euro mallra. Partnerët kryesorë të eksportit të mallrave serbe mbesin Italia me 13.1 për qind të eksportit, Gjermania me 12.5 %, Bosnje dhe Hercegovina me 8 për qind, Rusia me 5.8 % dhe Rumania me 4.8 %.

Ndërkohë, sipas deklarimeve të kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, Serbia humbë rreth 42 milionë euro në muaj nga vendosja e kësaj takse karshi Serbisë.

Njohësit e ekonomisë, siç raporton televizioni publik në Kosovë, thonë se për një shtet me eksport prej 17 miliardë euro, humbja e një tregu prej 500 milionësh në vit nuk paraqet ndonjë goditje të madhe ekonomike. E nëse llogaritet mos taksimi i energjisë elektrike si produkti kryesor që Serbia ia shet Kosovës si dhe lirimi nga kjo taksë i brendeve ndërkombëtare që përbëjnë eksportin kryesor në Kosovë, atëherë del që dëmi ekonomik që i shkaktohet Serbisë me këtë taksë është shumë më i vogël se ai që e paraqet Brnabiq.

Ndërkohë, ndonëse 9 brende të huaja që prodhojnë në Serbi janë liruar nga taksa, ka pasur edhe prej atyre brendeve të huaja që prodhojnë në Serbi e që nuk janë liruar nga taksa.

Prodhuesi i ilaçeve Hemofarm ishte privatizuar nga kompania gjermane Stade e më vonë shumica e aksioneve të saj iu shitën amerikanëve. Nga dëshmitë që tregon përfaqësuesi i Hemofarm-Stade, Burim Shkodra, del që ky prodhues edhe para vendimit të Qeverisë Haradinaj për taksën dhe emërtimin e dedikimit të produkteve, kishte përdorur emërtimin: Republika e Kosovës.

Ndërkohë derisa Prishtina zyrtare po shfaqet e vendosur që kjo taksë karshi produkteve serbe dhe boshnjake të vazhdojë, marketet qoftë në veri të Kosovës apo edhe në pjesën e enklavave janë përplot me produkte ushqimore por edhe ilaçe, të cilat janë zëvendësuar kryesisht me paralele të shteteve tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.