Wednesday , August 4 2021

Rruga për në Bellanoc, projekt i 2013-ës ende i papërfunduar

image-0-02-05-58a86c83c37037f98ef2f603d74de7c8f8c73d9d74209c9a501bf7fce6309753-v

Rikonstruimi dhe zgjerimi i rrugës rajonale Haraçinë-Ropalcë- Likovë, që lidh pikën kufitare Maqedoni-Kosovë, ka filluar të premtohet që nga viti 2013 por dinamika e punimeve që janë kryer deri më tani, nuk ngjallë ndonjë shpresë që punimet përfundimisht të përfundojnë të paktën në fund të këtij viti, njofton Portalb.mk.

Të rikujtojmë që Qeveria e Republikës së Maqedonisë disa herë me rradhë ka paralajmëruar se është gati për të hapur vend-kalimin kufitar Bellanocë-Stançiq por duke lënë në harresë rrugën e cila  shpie deri në këtë pike kufitare. Ndërkaq hapja e pikës kufitare Bellano- Stançiq është kërkesë e vazhdueshme e banorëve që jetojnë në këto hapësira. Përfaqësuesit qeveritarë kanë premtuar vazhdimisht rregullimin e infrastrukturës rrugore dhe veçanërisht hapjen e kësaj pike.

Projekti ishte pjesë e Programit Qeveritarë të vitit 2011, për të cilin u ndanë mjete dhe u caktua që viti 2013 të jet viti i përfundimit të punimeve. Po në këtë vit, atëherë kur punimet duhej të ishin në prag të përfundimit, Zedhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha, ripremtoi hapjen e kufirit Bellanocë-Stançiq.

“Me marrëveshjen e cila do të nënshkruhet nga të dy vendet, parashihet që vendet nënshkruese të marrëveshjes të kenë obligim ndërtimin e infrastrukturës rrugore deri në vendkalimin kufitar. Në Agjencion sa i përket pjesës së Maqedonisë, në programin e Agjencionit për Rrugë, për vitin 2013 ka hy ndërtimi dhe rekonstruimi i rrugës që shpie deri në vendbanimin Bellanocë”, deklaroi Muhamet Hoxha, Zëdhënës i Qeverisë.

Për këtë çeshtje nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe ajo e Kosovës, u nënshkrua një  Marrëveshjen (26.06.2013) për hapjen e pikës kufitare ndërsa projekti është miratuar edhe nga Kuvendi i Maqedonisë.   Megjithatë, deri në fund të vitit 2013 ishte në përfundim e sipër vetëm faza e parë e projektit, gjegjësisht, asfaltimi i rrugës rajonale Haraçinë- Ropalcë dhe jo përfundimi i punimeve ashtu siç ishte premtuar.

Pas përfundimit të fazës së parë (në fillim të vitit 2014), premtimet për realizim të punimeve vazhduan edhe me tej, kur nga Komuna e Likovës ishte njoftuar se është kryer përgatitja e dokumentacionit teknik për vazhdimin e punimeve, dhe si afati përfundimtarë për përfundimin e punimeve ishte viti 2015.

Sipas kontratës së nënshkruar të operatorit ekonomik me ndërmarrjen publike për rrugë shtetërore, kjo rrugë duhet të përfundoj punimet më së voni brenda 24 muajve- nëntor të vitit 2015”, kishin njoftuar nga Shërbimi Informativ i Komunës së Likovës.

Ndërkohë, nga ana e Kosovës gjithçka ishte gati dhe po pritej finalizimi i punëve nga ana e Maqedonisë.

“Ne, Komuna e Gjilanit, jemi të përgatitur, rruga në pjesën tonë është e kryer, kurse presim vetëm këtë muaj të finalizohet nga ana e Maqedonisë dhe të bëjmë hapjen zyrtare“, pati njoftuar Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës së Gjilanit.

Si pengesë për mosrealizimin e projektit u paraqiten arsyetime të ndryshme (ato të shpronësisë, problemet teknike dhe klimatike etj.) me këtë që, edhe në vitin 2015 nuk u arrit që projekti të realizohej.

As edhe përgjatë vitit 2016 nuk është arritur të funksionalizohet pika kufitare. Sipas Kryetarit të Komunës së Likovës, Sadulla Duraku në një prononcim për Portalb, thuhet se ka mbetur të përfundohet pjesa nga hyrja në Hotël deri në Ropalcë, por edhe kësaj radhe pa caktuar ndonjë afat të fundit për përfundimin e pjesës së mbetur.

Ka mbetur pjesa prej hyrjes në Hotël deri në Ropalcë, ndërsa nga tjerat anë është përfunduar”, deklaroi Duraku.

Banorët e Komunës së Likovës shprehen të revoltuar për ngecjen e punimeve. Ata për Portalb thonë se janë të lodhur duke pritur me vite të tëra dhe se nuk ka ndonjë shpresë se punimet përfundimisht do të përfundojnë deri në fund të këtij viti.

Punime ka pasur në fillim të vitit, është bërë tamponizimi i disa rrugëve. Më pas punimet janë ndërprerë. Kështu që, nuk ka më kohë që deri në fund të vitit të përfundohet së asfaltuari“, u shpreh për Portalb, Shefik Bakiu, banori komunës së Likovës.

Ndërkaq, Bajram Ramadani, banorë i Komunës së Likovës, zvarritjen e punimeve e vlerëson si marketing politik të partive qeveritare.

Rruga për në Bellanoc është zvarritur shumë. Katër vite vetëm sillen makineritë poshtë e përpjetë, kurse në terren asnjë ndryshim nuk ka. Me një fjalë, edhe kjo rrugë është duke u shfrytëzuar si marketing politik, si çdo projekt tjetër. Kanë filluar t‘i vendosen disa gypa anësore, por ka kohë që qëndrojnë aty. Nuk ekziston shpresë që gjatë këtij viti të asfaltohet kjo rrugë, është manipulim i paparë“, deklaroi Ramadani, njëherit dhe arsimtarë në Sh.f. “Faik Konica”, Sllupçan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *