Saturday , November 17 2018

Robert Preni nga Kosova, ndër nxënësit më të mirë të matemayikës në botë

Robert Preni, është nxënës në American School of Kosova, tani në klasën e 10-të, i cili përveç që u zgjodh nxënësi më i mirë i vitit, ai shënoi një sukses tejet të madh në lëndën e matematikës në testin e progresit akademik (Measurement Academic Progress, MAP).

Në këtë test, që American School of Kosova ofron dy herë në vit për nxënësit e saj për të matur progresin e nxënësve brenda një viti akademik, arritshmëria e Robertit ishte i të njejtit nivel me nxënësit më të mirë në botë, percjell Fakte.

Më poshtë, Roberti shpalosë historinë pas sukseseve të tij. Ai, padyshim, është shembull inspirues për të gjithë moshatarët e tij, i cili po e vërteton që nuk i lë sfidat t’a ndalojnë në ndjekjen e ëndërrave të tij.

Pse e zgjodhe ASK-në? Ti vjen nga Klina dhe mund të kesh hasur në vështirësi, qoftë për shkak të largësisë apo ndonjë shkaku tjetër që do të mund të paraqitej si pengesë për të ndjekur shkollën.

Vitin e kaluar isha i angazhuar në qendrën rinore dhe ata ofronin një klub model të Kombeve të Bashkuara (Model United Nations Club) në të cilin aplikoi vëllai im. Ai më sugjeroi të aplikoja edhe unë por në fillim hezitova.

Vëllai im ishte në klasën e 12-të ashtu si edhe të gjithë të tjerët aty, ndërsa unë isha në klasën e 8-të. Megjithatë, mendova se ishte mundësi e mrekullushme prandaj edhe aplikova. Kuptova se drejtuesi i klubit ishte amerikan që quhej Andrew Bivins. Z. Andrew, në atë kohë, po aplikonte për punë në ASK.

Kur mësoi se po shpërndanin bursa, më njoftoi. Unë menjëherë fillova të hulumtoja për shkollën dhe mësova disa gjëra të mahnitshme. Unë poashtu e pyeta edhe një mike timen për ASK-në, e ajo më tregoi se si ASK i ka ndihmuar të arrijë qëllime të cilat ajo as nuk e dinte që egzistonin. I pasuruar me të gjitha këto informacione, fillova të iu tregoja prindërve.

Megjithatë, ata menjëherë e mohuan idenë. Unë nuk doja të pranoja jo si përgjigje, prandaj bëmë një marrëveshje. Nëse mund të merrja bursë 90% e më lartë ata do të më lejonin të shkoja në ASK. Ata menduan se po kërkojnë diçka të paarritshme për mua, mirëpo me sa duket nuk më kanë njohur sa duhet.

Pas një muaji që isha në ankth, dolën rezultatet dhe unë kisha pranuar bursë 90%.

Prindërit e mi ishin të lumtur dhe njëkohësisht të mahnitur. Pas gjithë kësaj, unë tash mund të ndjekja mësimin në American School of Kosova.

 Robert, këtë vit, ASK të shpërbleu me bursë të plotë, 100%. Çka do të thotë kjo për ty dhe si do të të motivojë në vitin e ardhshëm akademik?

Fitimi i bursës 100% nënkuptonte se ishte shpërblyer gjithë mundi im dhe kjo më bëri tejet të lumtur. Më kujtohet kur i tregova motrës time të vogël se kisha fituar bursë 100% e ajo tha “Uaa Robert, je shumë me fat e unë iu përgjigja, ”nuk jam me fat, kam punuar shumë për këtë”.

Duke e ditur se e gjithë puna ime është vlerësuar dhe shpërblyer më bën të punoj akoma më tepër. Kur e di se ka njerëz të cilët më përkrahin, kjo më motivon të arrijë gjithë potencialin që e kam.

Ke shënuar pikë shumë të larta në testin e progresit akademik, MAP, (MEASUREMENT ACADEMIC PROGRESS) këtë vit. Si e vlerëson kontributin e ASK-së me këtë arritje tënden?

Që kur kam qenë fëmijë, gjithmonë e kam dashur matematikën. Kam marrë pjesë gjithmonë në garat e matematikës dhe gjithmonë kam arritur pikë të larta. Kur po merrnim librat më kujtohet që së pari e hapa librin e matematikës që të shikoja se çfarë do të mësonim.

Kur mbërriva në shtëpi, fillova të zgjidhja disa probleme nga libri dhe e kuptova se i dija shumicën nga ato që do t’i mësonim. Pastaj i pyeta njerëzit përreth nëse ishte e mundur të kaloja në një klasë më të lartë në matematikë.

Pasi më thanë se po, ishte e mundur, unë fillova menjëherë të punoja drejt kësaj. Në muajin nëntor lëndët e mija u ndërruan prej Algjebrës së klasës së 9-të kalova në Algjebrën e klasës së 10-të.

Ky faktor i vetëm ndikoi që unë të përmirësohesha në matematikë më shumë se gjithçka tjetër që unë kam bërë apo që kam mundur të bëjë. Nëse nuk do të kisha kaluar në një klasë më të lartë, jam i sigurt që do të kisha përkeqësuar shkathtësitë e mia në matematikë, sepse nuk do të kisha sfiduar veten më dhe do të isha dembelosur.

Nëse ASK nuk do më kishte dhënë mundësinë të vazhdoja në një klasë më të lartë atëherë pikët të cilat i kam marrë nuk do të ishin të mundura.

Shpjego përvojën tënde si anëtar i klubit MUN (Model United Nation Club) në kuadër të ASK-së. Çka mendon se ke mësuar nga kjo mundësi?

Klubi MUN është klubi që punon më së shumti në shkollë. Sa herë që je aty, je duke u përgatitur për ndonjë konferencë apo duke marrë pjesë në një, nuk ka mes. |

MUN të ndihmon të zhvillosh një diapazon të gjerë shkathtësish. Mëson shkathtësi debati, shkathtësi hulumtimi, për menagjimin e kohës por më e rëndësishmja të flasësh para një publiku.

Kur je në një konferencë duhet të dalësh para një dhome me plot njerëz dhe t’i bindësh pse kjo metodë është më e mira. Numri i njerëzve të panjohur mund të ndryshojë prej dhjetëra deri në qindra varësisht nga madhësia e konferencës. Aftësia për dalë para një turme dhe të flasësh saktë dhe me vetëbesim është një nga aftësitë më të rëndësishme në jetë dhe MUN të ndihmon ta zhvillosh atë shkathtësi.

Pjesë e cilave klube tjera je? Çfarë ke përftuar nga pjesëmarrja në aktivitete të tilla ekstra-kurrikulare që ofron ASK?

Unë kam qenë edhe në ekipin ekzekutiv të senatit të nxënësve. Të jesh pjestarë i senatit të nxënësve është shumë zbavitëse. Ne organizonim evente dhe gosti të cilat përfundonin me shumë sukses.

Shkathtësia më me vlerë që e kam fituar nga senati është bashkëpunimi. Për punën e senatit nuk mund ta nderosh vetëm një person, të gjithë mbështeten në njëri tjetrin për ndihmë dhe puna e secilit ndërlidhet me punën e tjetrit. Ne zhvillohemi në bazë të ideve të njëri-tjetrit, dikush e krijoj emrin, dikush tjetër temën e kështu me rradhë. Kjo është shkathtësi që nuk mësohet në klasë e kjo e bënë akoma më me vlerë atë.

Çka konsideron të kesh pikën tënde më të fortë, e që e ke zhvilluar në American School of Kosova?

Shkathtësia më e mirë që e kam fituar në ASK është vetë-disciplina. Vetë-disciplina është aftësia të bësh ato gjëra që duhet, atëherë kur duhet pavarësisht se a do apo jo. Të zgjohesh në 5 të mëngjesit dhe të mos e vazhdosh gjumin, kërkon shumë vetë-disciplinë. Të mos shikosh TV mirëpo në vend të kësaj të punosh në një projekt që është në fund të muajit kërkon poashtu një sasi tejet të madhe të vetë-disiplinës.

ASK ka demonstruar se nuk ka tolerancë për “rrugë të shkurta”. Më kanë mësuar se nuk ka mënyrë të lehtë të marrësh një “A” (nota më e lartë). Siç është edhe thënja: “The elevator to success is out of order but the stairs are always open” (Ashensori drejt suksesit nuk është në dispozicion por shkallët janë gjithmonë të lira).

Cilat janë synimet tua për 5 vitet e ardhshme dhe si po të përgatitë ASK t’i arrish ato?

Pas 5 vjetësh unë do të jem në fakultet, qëllimi im është të regjistrohem në një nga 10% universitetet më të mira në Shtetet e Bashkuara. ASK është një nga shkollat e vetme në Kosovë që ofron planprogram të bazuar në atë amerikan.

Çdo ditë po mësoj si të flas para publikut, si të punoj në grup, si të zhvillojë vetë-disciplinën dhe këto janë padyshim disa nga aftësitë më të rëndësishme në jetë për të cilat unë i falenderohem ASK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.