Thursday , January 28 2021

Rëndohet bilanci i viktimave pas tërmetit shkatërrues në Italinë Qendrore, 252 të vdekur

Ka shkuar në 252 persona, bilanci i viktimave të tërmetit shkatërrues që goditi dje Italinë qëndrore. Ndërkohë ekipet e shpëtimit po vazhdojnë punën për të kërkuar persona të gjallë poshtë rrënojave. 
Bilanci i viktimave vazhdon të përkeqësohet në zonën qëndrore të Italisë, pas goditjes nga tërmeti me magnitudë 6.2 ballë i shkallës rihter. Në një konferencë për shtyp Departamenti i Mbrojtjes Civile njoftoi se numri i personave që kanë humbur jetën ka shkuar në 252. Ndërsa raportohet se qindra persona janë të plagosur. Operacionet e kërkim shpëtimit kanë vijuar punën gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë ende pasi mendohet se shumë persona të tjerë ndodhen nën rrënoja. Ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se mes viktimave ka edhe fëmijë, ndërsa paralajmëroi se numri mund të rritet edhe më shumë. Kryetari i komunës së Amatrices u shpreh se mbi 200 viktima janë gjetur në këtë zonë, transmeton Fakte.
Kryeministri Italian, Mateo Renci ka vizituar zonat e prekura nga lëkundjet sizmike. Në Amatriçe, ai tha se objektet e shkatërruara do të rindërtohen shumë shpejt. Për këtë dhe për shkak të emergjencës, ministry Italian I Infrastrukturës, ka vendosur në dispozicion 50 milionë euro. Renci ka bërë thirrje ekipeve të shpëtimit që të vazhdojnë punën, ndërsa ka theksuar se është koha e lotëve, e respektit dhe lutjeve.
Ndërkohë për t’i ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti Mbrojtja Civile ka ngritur një qendr pritje në Accumoli. Janë më shumë se 80 vullnetarë të cilët ofrojnë shërbime për personat e prekur, ndërsa janë duke u ngritur edhe dy qendra të tjera pritjeje. Bëhet e ditur se shumë qytetarë, të cilët mbetën të pastrehë, kaluan natën në tendat e ngritura nga Departamenti I Mbrojtjes Civile.
Situata sizmike në zonën e tërmetit vazhdon të jetë aktive, pasi herë pas herë janë ndjerë lëkundje tërmeti gjatë natës. Më i fundit ka qenë ai në zonën e Lazios 4.5 ballë rreth orës 5:17 të mëngjesit./ABC

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *