Tuesday , March 2 2021

REAGIMET E PARTIVE POLITIKE PËR HUAZIMET, NË 3 MUAJ BORXHI ËSHTË RRITUR ME 353 MILIONË €

Menjëherë pas propozimit për rebalanc të buxhetit të RM-së që është në procedurë parlamentare, nga partia më e madhe opozitare LSDM thonë se ky rebalanc dëshmon se janë keq menaxhuar mjetet publike dhe se nuk ka pasur planifikim të duhur të të hyrave. Kire Naumov, udhëheqës i komisionit të financave në LSDM, thotë se borxhi i Maqedonisë do të jetë barrë e gjeneratave të reja.

“Vendimi për fletëobligacionin është krim që në momentin e aprovimit sepse rebalanci me të cilin planifikohet rritja e shumës së borxhit të jashtëm nuk është propozuar në parlament”, u shpreh Kire Naumov, Komisioni i finacave të LSDM-së.

Në reagimin e partisë qeveritare, VMRO-DPMNE-së, thuhet se Zoran Zaev për t’i fshehur keqpërdorimet e parave të shtetit, akuzon duke folur përmes personave jo kompetentë.

REAGIMI, VMRO-DPMNE:

“Detyra e turpshme për të tërhequr vëmendjen e krimit të Zaevit, këtë herë ka rënë mbi Kire Naumovin, i cili në të gjitha intervistat profesionale është cilësuar tërësisht jo kompetent dhe njeri që nuk kupton as shkronjën “D” nga drejtësia.

Zylfi Adili nga lëvizja UNITETI thotë se fletë obligacioni i ri me vlerë prej 650 milionë eurove e ngarkon situatën ekonomike në Maqedoni.

“Në 10 vitet e ardhshme ne duhet të paguajmë vetëm për këtë huazim 1 miliard euro. RM ka arritur nivelin e borxhit prej 70.1% të GDP, ose 6.7 miliard euro, që me doemos do të ul edhe rejtingun kreditor të shtetit”, tha Zylfi Adili, deputet.

Partitë Frodem, E majta dhe Partia Liberal Demokrate, gjithashtu janë kundër këtij hapi të qeverisë.

PLD, akuzon liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskin, se me këto 650 milionë eurot, kriza politike në vend po thellohet. Frodem, thotë se për qeverinë, nuk është e rëndësishme e sotmja dhe e ardhmja e gjeneratave të reja, por për ta është e rëndësishme vetëm të mbrojnë veten duke i siguruar edhe zgjedhjet e ardhshme.

“E majta”, ndërkaq thotë se nëse arrin të përfshihet në qeverinë e ardhshme, kjo parti qysh tani sqaron se nuk do t’i paguajë kamatat për të cilat qeveria aktuale shtetin po  e fut në borxh.

Pas gjitha këtyre reagimeve, Ministria e Financave doli me qëndrimin se dhënia e fletëobligacioneve është realizuar konform ligjit dhe të njëjtat janë vlerësuar maksimalisht./TV21

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *