Tuesday , December 18 2018

Raporti i BSH: 142 milionë euro ikën jashtë

Plot 142 milionë euro, origjina e të cilëve është e papërcaktuar për arsye të ndryshme, kanë fluturuar jashtë Shqipërisë në tremujorin e parë të këtij viti.

Në publikimin e bilancit të pagesave nga Banka e Shqipërisë, zëri “gabime dhe harresa”, pra i parave për të cilat Banka ka probleme informacioni për hartimin e statistikave, ka qenë në shumën 142 milionë euro në flukset dalëse, ose 5% e PBB-së nominale.

Mospërputhjet e bilancit për tremujorin e mëparshëm, që përkon me tetor-dhjetorin e vitit 2017, ishin rreth 50 milionë euro, por kësaj radhe fluksi i parave ka qenë në drejtimin e kundërt, duke u futur nga jashtë në ekonominë shqiptare, ose duke u prodhuar nga ekonomia informale.

Ndërkohë për tremujorin e parë, deficiti tregtar, treguesi i raportit mes eksporteve dhe importeve është 354 milionë euro, 43 milionë euro më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Vet llogaria korrente e Shqipërisë, që është totali i fluksit të parave që hyjnë e dalin në vend, regjistroi sipas Bankës së Shqipërisë një deficit prej 164.6 milionë eurosh në tremujorin e parë të vitit 2018, duke u zgjeruar me rreth 11% në nivel vjetor./TCH/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.