Friday , October 19 2018

Radari “bën namin” në 7 akse nacionale, 150 turistëve u hiqet patenta

Akset kryesore të vendit po monitorohen nga Policia Rrugore me radarë. Nga kontrollet edhe gjatë orëve të natës, janë konstatuar drejtues mjetesh të papërgjegjshëm që lëvizin me shpejtësi ekstreme, percjell Fakte.

Vetëm në autostradën Tiranë-Durrës, gjatë 48 orëve të fundit janë pezulluar 39 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara. Por me radarë rrugorët po mbikëqyrin edhe 7 akse të tjera nacionale me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe shmangen e aksidenteve, sidomos në fundjavë, ku fluksi është shumë i madh, pasi shumica i drejtohen bregdetit. Por në korrik dhe gusht rritet ndjeshëm edhe numri i mjeteve me të cilat vijnë emigrantët, por edhe pushuesit e huaj.

Shkelje të rregullave të qarkullimit që u ka kushtuar patentën kanë kryer edhe shtetas të huaj, të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet. Sipas statistikave të Policisë Rrugore, deri më tani gjatë këtij sezoni turistik u është pezulluar leja e drejtimit më shumë se 150 shtetasve të huaj, që janë penalizuar për shpejtësi tej normave të lejuara apo parakalim të gabuar dhe kundravajtje. Shumica janë shtetas kosovarë, por edhe çekë, polakë dhe italianë, të cilët, sipas procedurave duhet të sorollaten me javë të tëra në institucionet shqiptare për të tërhequr patentën.

Për shmangen e këtyre procedurave burokratike që kalojnë sa nga prefekti dhe Ministria e Jashtme në Kuvend është propozuar edhe ndryshimi i Kodit Rrugor që parashikon që shtetasit e huaj të paguajnë dyfishin e gjobës dhe patenta t’u rikthehet menjëherë. Por ky ndryshim kërkon 3/5 e votave të Parlamentit.

Ndryshimi i Kodit Rrugor kërkon 84 vota, ndaj mazhoranca kërkon edhe mbështetjen e opozitës për amendimin e ligjit.

Të hënën është seanca e fundit e këtij sesioni dhe nëse propozimi nuk votohet, atëherë nuk do të ketë asnjë zgjidhje për pushuesit e huaj këtë verë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.