Thursday , January 28 2021

Qeveria siriane akuzohet se po përdor sërisht armë kimike

Forcat qeveritare siriane akuzohen se kanë hedhur gaz klorin me helikopter gjatë një sulmi në një prej zonave të kontrolluara nga rebelet në Aleppo, duke plagosur 80 persona, transmeton Fakte.

Ekipet vullnetare deklarojnë se njerëzit kanë vështirësi në frymëmarrje pas sulmit në zonën Sukkari.

Megjithatë, lajmi nuk mund të provohet në mënyrë të pavarur. Por një hetim i kryer muajin e kaluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara tregoi se qeveria siriane kishte përdorur gaz klorin në të paktën dy raste.

Autoritet zyrtare siriane kanë mohuar gjithmonë përdorimin e armëve kimike, një debat i cili vijon që prej fillimit të konflikit të armatosur në Siri 5 vite më parë.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë ndërtesat e shkatërruara, punëtorët e emergjencës dhe disa persona me maska oksigjeni në një spital.

Aleppo ka qenë një nga zonat e goditura më rëndë nga dhuna e përshkallëzuar muajt e fundit, pas prishjes së  armëpushimit të pjesshëm të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia në shkurt të këtij viti.

Ngjarja vjen në prag të takimit të udhëheqësve të opozitës siriane në Londër, ku do të diskutohet plani i ri me qëllim tranzicionin politik që do të çonte edhe në dhenien fund të luftës së gjatë civile.

Grupi që përfaqëson fraksionet e opozitës do të pritet nga sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson.

Në takim do të marrin pjesë gjithashtu edhe ministrat e Jashtëm të vendeve aleate të Sirisë që mbështesin largimin e presidentit sirian Bashar al Assad. Që prej nisjes së konfliktit, 250 mijë njerëz kanë humbur jetën dhe 11 milionë të tjerë janë detyruar të largohen nga vendi./OraNews

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *