Sunday , April 18 2021

Qerimi i BDI-së me propozime të UNITETI-t: Vendimmarrje e dyfishtë kundër majorizimit

Rami Qerimi nga partia shqiptare në pushtet BDI së fundmi ka shpalosur idenë kundër majorizimit të shqiptarëve nga ana e mazhorancës (maqedonasve), shkruan Fakte. Qerimi në përputhshmëri të plotë ka me opozitën shqiptare ka paraqitur nevojën për një dhomë të dytë në Kuvend ku do të kalonin projektet që kanë të bëjnë me interesat e shqiptarëve dhe bashkësive tjera joshumicë. Ky propozim është përcaktuar në Programin politik të partisë së dalë nga BDI, UNITETI, në faqën e saj të internetit, ndërsa është edhe një ndër shtatë pikat kryesorë në Nismën për ndryshime kushtetuese të deponuar në Kuvend, ku kërkohet riformatimi i Komitetit për marëdhënie ndëretnike.

Përveç tjerash, Qerimi ka shkruar:

Vlen të theksohen edhe disa nga arsyet kryesore që kanë ndikuar në mos-implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Arsyeja kryesore ka të bëjë me faktin se Maqedonasit në RM nuk e kanë kuptuar (apo nuk kanë dashur ta kuptojnë) “frymën” e Marrëveshjes së Ohrit dhe karakterin dinamik të saj të shprehur edhe përmes vetë fjalës “Kornizë”. Përderisa Shqiptarët Marrëveshjen e Ohrit e kanë parë si pikë fillestare, si gurthemel, për avansimin e pozitës së tyre deri në barazinë e plotë me Maqedonasit, Maqedonasit ate e kanë konsideruar si diçka që ofron maksimumin e të drejtave për Shqiptarët në një shtet të përbashkët. Poashtu, përfaqësuesit politikë maqedonas implementimin e MO nuk e kanë parë si një parakusht për funksionimin dhe mirëqenien e shtetit, por si një domosdoshmëri të imponuar nga bashkësia ndërkombëtare. Nga ana tjetër, që nga fillimi (me ose pa qëllim) është keqkuptuar fakti se kush duhet ta implmentojë këtë Marrëveshje. Në vend që implementimi i saj të shihet si obligim i të gjitha partive politike në Maqedoni, pavarësisht nga karakteri i tyre etnik, ideologjik apo gjendja pozitë/opozitë, është krijuar ndjenja (dhe praktika) se ate duhet ta implementojë vetëm partia shqiptare në pushtet. Rrjedhimisht, përveç përfaqësuesve politikë të partisë politike shqiptare në pushtet (lexo BDI), implementimi i MO është sabotuar dhe penguar nga të gjitha partitë e tjera politike në vend, përfshi këtu edhe mediumet dhe qytetarët e thjeshtë të përkatësisë etnike maqedonase.

Zgjidhja e Mundshme

Duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat shoqërore, politike dhe demografike, Republika e Maqedonisë mund të ekzistojë vetëm nëse shqiptarët dhe maqedonasit si dy komunitete më të mëdha do të jenë plotësisht të barabartë, respektivisht Maqedonia duhet të shndërrohet ose në një Federatë funksionale (institucionale) ose në një shtet binacional. Maqedonia si hapësirë territoriale thuaj se gjithmonë (edhe sot) ka qenë një shoqëri multietnike, por për fat të keq ajo u themelua si shtet unitar dhe pala maqedonase që nga themelimi e centralizoi dhe miratoi një kushtetutë ku sovraniteti kalon vetëm në duart e maqedonasve, duke anashkaluar vullnetin e shqiptarëve si komunitet i dytë me numër më të madh të banorëve në këtë shtet.

Rrjedhimisht, është koha e fundit që kjo situatë të ndryshojë dhe sovraniteti të ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në vend. Sovraniteti i shtetit përcaktohet nga dy elementet kryesore – territorit dhe popullatës – dhe nëse i marrim parasysh këto dy elemente shqiptarët patjetër duhet të gëzojnë të drejtën e sovranit të barabartë me maqedonasit sepse janë me numër të konsiderueshëm pjesë e popullatës, ndërkaq që njëkohësisht zotërojnë një territor pothuajse të barabartë me maqedonasit në këtë shtet.

Modeli i Propozuar

Për realizimin e kësaj zgjidhjeje, nevojiten ndryshime kushtetuese të cilat do të siguronin barazinë e plotë mes dy popujve në RM. Ndryshimet e tilla do të duhej të bëheshin që nga preambula e Kushtetutës së RM e deri te nenet tjera përkatëse të Kushtetutës për të siguruar pozitën e Shqiptarëve si shtetformues dhe të barabartë në Republikën e Maqedonisë.

Me qëllim të pengimit të majorizimit të Shqiptarëve nga Maqedonasit, propozohet formimi i një dhome të dytë (të lartë) në Parlamentin e Maqedonisë. Për t’u bërë të plotëfuqishme, të gjitha vendimet do të duhej patjetër të aprovohen përmes kësaj dhome të lartë të parlamentit, duke krijuar kështu një mekanizëm i cili do të ishte filtri kryesor për të penguar majorizimin dhe margjinalizimin e faktorit shqiptar.

Nga 193 shtetet që ekzistojnë sot në botë, 78 prej tyre kanë parlamente dydhomëshe (bikameral). Duhet theksuar se 17 nga 29 shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) kanë parlamente dydhomëshe. Parlamenti dydhomësh zakonisht është karakteristikë e shteteve me rregullim të brendshëm federativ, shteteve të mëdha, por në disa raste, si për shembull në Britaninë e Madhe dhe Francë, parlamentet dydhomëshe janë rezultat i ndarjes klasore brenda shtetit, ku dhoma “e lartë” dhe “e ulët”përfaqëson klasat përkatëse. Sot parlamentet dydhomëshe kryesisht janë reflektim i përfaqësimit territorial të shteteve apo regjioneve brenda një shteti. Kështu sipas definicionit, gati të gjitha shtetete organizuara si federatë (sipas Unionit Ndër-Parlamentar 18 nga 22) zbatojnë parlamente dydhomëshe, ku dhoma e lartë zakonisht paraqet dhomën në të cilën njësitë e federatës, pavarësisht nga madhësia e tyre, kanë numër të barabartë të deputetëve. Në SHBA për shembull, Senati (dhoma e lartë) përbëhet nga 100 senatorë, ku secili nga 50 shtetet e SHBA-ve është i përfaqësuar me nga dy senatorë. Shembuj të tjerë të shteteve me rregullim të brendshëm federativ që kanë parlamente dydhomëshe janë Gjermania, Rusia, Spanja, Argjentina, Zvicra etj.

Mirëpo, ekziston edhe një numër i madh shtetesh me rregullim të brendshëm unitar tek të cilat parlamenti është i përbërë nga dy dhoma. Shembuj të tillë janë Holanda, Republike e Çekisë, Republika e Irlandës, Romania, Filipinet dhe Sllovenia. Shumë shpesh, në këto shtete dhoma e lartë e parlamentit ka për qëllim t’i vëzhgojë dhe sipas nevojës përmes vetos edhe t’i bllokojë vendimet e dhomës së ulët të parlamentit. Në parim, tek shtetet me popullatë heterogjene, parlamenti dydhomësh paraqet mekanizëm për parandalimin e majorizimit të bashkësive më të vogla etnike nga bashkësia shumicë dhe konsiderohet si shkallë më e lartë e funksionimit të demokracisë parlamentare. Kjo sidomos gjen në zbatim në situatat, ku në vend të federalizmit territorial zbatohet federalizmi funksional.Federalizmi funksional shpesh mund të përdoret si mekanizëm për mbrojtje nga margjinalizimi dhe majorizimi i një bashkësie të caktuar etnike nga bashkësia etnike shumicë në vend, në rastet kur federalizimi territorial nuk është i mundur apo i dëshiruar nga palët e ndryshme brenda shtetit.

Përbërja e Dhomës së Lartë

Në përgjithësi dhoma e lartë ka një numër më të vogël të deputetëve sa sa dhoma e ulët. Në të vërtetë, përjashtim nga kjo rregullë bëjnë vetëm tri shtete në botë, Britania e Madhe, Kazakistani dhe Burkina Faso. Mesatarisht, numri i deputetëve në dhomat e larta arrin në rreth 60% të numrit të kolegëve të tyre në dhomat e ulta, mirëpo shpesh ka raste që ky përfaqësim të jetë edhe shumë më i vogël. Konkretisht propozohet që dhoma e Lartë e Parlamentit të RM të përbëhet nga 20 deputetë (10 shqiptarë dhe 10 maqedonas).

Zgjedhja e Deputetëve

Në praktikë ekzistojnë dy mundësi për zgjedhjen e deputetëve të dhomës së lartë të një parlamenti. Mundësia e parë ka të bëjë me zgjedhjen direkte të këtyre deputetëve. Në rastin konkret të RM, 20 deputetët do të zgjedheshin në zgjedhje parlamentare bashkë me 120 deputetët e dhomës përfaqësuese (dhoma e ulët). Nga gjithsej 78 shtete në botë me parlament dydhomësh, në 24 prej tyre deputetët e dhomës së lartë zgjedhen përmes zgjedhjeve direkte parlamentare.

Mënyra e dytë eshtë zgjedhja e këtyre deputetëve në mënyrë indirekte. Në 20 shtete në botë me parlament dydhomësh, deputetët e dhomës së lartë zgjedhen përmes një farë lloji të zgjedhjeve indirekte. Në këtë rast, deputetët ose propozohen drejtpërdrejtë nga regjionet/bashkësitë etnike të cilat i përfaqësojnë ose zgjedhen nga deputetët e dhomës së lartë të parlamentit.”– ka shkruar Qerimi i BDI-së.

Megjithatë Rami Qerimi nuk ka dhënë një sqarim pse partia e tij nuk ka kërkuar një gjë të tillë gjatë qeverisjes pothuajse një dekadë e gjysmë, si dhe a do të mbajë përgjegjësi për këtë./FAKTE.Net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *