Qelbet Tetova – lopë, derra, qen të ngordhur hidhen në gropë afër shtëpive (VIDEO)

Banorët e një lagjeje në afërsi të Universitetit të Tetovës janë në alarm. Rreth 20 metra larg shtëpive të tyre, në një gropë të hapur nga ferma e kafshëve e shkollës së mesme bujqësore, hidhen kafshë të ngordhura. Ndër to derra, lopë, qen…, raporton televizioni Alsat-M.

Nga era e keqe që kundërmon në këtë lagje, banorët nuk i hapin dot as dritaret, ndërsa kanë frikë nga paraqitja e ndonjë epidemie. Ata shpjegojnë se shpesh herë copë kafshësh të ngordhura që i sjellin qentë endacak, përfundojnë nëpër oborret e tyre.

“Vinë shumë era këtu, hedhin kafshë të ngordhura nga kjo shkollë na pengon shumë. Kemi frikë sëmundje do marrim. Si lëshojmë fëmijët jashtë, ama shpi ka këndej, por shumica e njerëzve i ndalin nuk i nxjerrin jashtë. Kemi reagu te shkolla po sërish e bëjnë të njëjtën”, tha një banor.

“Erë e keqe drejt t’ju them, as fëmijët jashtë s`mund t`i lëshojmë, vajzën veç brenda e mbaj se lëshoj jashtë, çka tu them katastrofë krejt. Ma e keqe është se e heqin zhag e nxjerrin në rrugën na sjellin te dera”, u shpreh një tjetër banor.

“Nga era e keqe dhe papastërtia që mbizotëron në këtë vend, për kamerat e televizionit Alsat-M, është e pamundur që të ofrohemi më tepër që të filmojmë eshtrat e kafshëve të ngordhura”.

Ekipi i televizionit Alsat-M tentoi që të kontaktojë edhe me drejtuesit e shkollës së mesme Mosha Pijade në Tetovë, por pa përgjigje. Ndërkaq nga inspektorati komunal për mjedisin jetësor, theksuan se do të gjejnë zgjidhje për këtë problem.

“Duke marrë në konsideratë shqetësimin e banorëve dhe qytetarëve Inspektorati për mjedis jetësor i Komunës së Tetovës me fleksibilitetin më të madh do të del në terren për të inspektuar rastin në fjalë dhe i njëjti organ do të ekzekutoj vendim konform regullativës ligjore për mbrojtjen e mjedisit jetësorë të Republikës së Maqedonisë”, thanë nga inspektorati komunal për mjedisin jetësor.

Rasti i këtillë sipas banorëve është paraqitur ditëve të fundit, pas çka ata kanë reaguar menjëherë në Shkollën e mesme Bujqësore, por, sipas tyre, nuk janë përfillur aspak nga drejtuesit e shkollës./Alsat-M

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *