Friday , January 22 2021

PSP vazhdon të qëndrojë në DSK, pamundësohet qasje në sistemin e përgjimeve

Ekipet e Prokurorisë Speciale vazhdojnë të qëndrojnë në Drejtorinë për siguri dhe kundërzbulim, derisa nuk arrijnë të kenë qasje në sistemin për ndjekjen e komunikimeve.
Prokurorja, Lençe Ristovska, thotë se arsyeja pse prej mbrëmë nuk është arritur të kenë qasje në sistem ka qenë mungesa e dy personave të pjesës teknike të DSK-së, të cilët për momentin janë jashtë shtetit. Ristovska shpreson se personat do të vijnë brenda ditës, që më pas të veprohet në bazë të urdhrit gjyqësor.
“Ishte e çuditshme si s’ka person tjetër që do të kishte qasje në sistem. Na thanë se do të bëhen përpjekje që dy personat të kthehen brenda ditës. Shpresojmë që premtimet e dhëna të ndahen dhe menjëherë të veprojmë në bazë të urdhrit gjyqësor për të pasur qasje në sistemin e përgjimeve. Të dhënat që kërkojmë në DSK janë të një rëndësie thelbësore për t’u vërtetuar se cilat numra të telefonit janë përgjuar. Prokurorja speciale me një ekip të PSP-së është atje dhe do të qëndrojnë përderisa nuk kemi qasje në sistem”,- deklaroi prokurorja, Lençe Ristovska.
Sistemi i përgjimeve është i ri nga marsi i 2015-ës dhe sipas prokurores, Ristovska, do të duhet të kontrollohet se mos vallë janë kryer keqpërdorime edhe me këtë sistem sikurse me të kaluarin që veç më është shkatërruar.
Prokurorët e Prokurorisë Speciale prej mbrëmë me ndërrime janë duke bërë kujdestari në DSK. Prokurorët që në mëngjes është dashur t’i ndërrojnë kolegët e tyre që natën kanë kaluar në DSK e janë përballur me masa të reja gjatë hyrjes në këtë institucion.
Ata janë detyruar të presin më shumë se një orë për të hyrë brenda. Ristovska shpreh brengosjen se çfarë porosie mund të dërgojë tek qytetarët mosbashkëpunimi i shërbimit sekret dhe speciales.
Specialja është çuditur që mbrëmë në DSK kanë hasur edhe në zëvendësministrin e brendshëm, Oliver Andonov, dhe drejtorin e Drejtorisë për siguri publike, Mitko Çavkov.
Këta të fundit, duke arsyetuar nevojën për të qenë brenda hapësirave të shërbimit sekret, hedhin akuza ndaj Janevës dhe ministrit të brendshëm, Oliver Spasovskit.
“Zonja Janeva ka kryer presedan, duke vënë në pikëpyetje sigurinë kombëtare dhe të qytetarëve. Hyrja në hapësirat e DSK-së, duke bërë aheng partiak me sekretarin gjeneral të LSDM-së, rezultoi edhe me ngritjen e tensioneve në ministri dhe me një sjellje të pahijshme ndaj të punësuarve”,-theksoi zëvendësministri i MPB-së, Oliver Andonov.
“Për herë të parë ndeshem me situatën që ministër i brendshëm formon komision për të pasur qasje në sistemin kompjuterik. Kjo është punë e policisë gjyqësore. Me këtë dëshmojnë mosnjohje elementare të Ligjit për procedurë penale”,- tha Mitko Çavkov nga Drejtoria e sigurisë publike.
Por, nga Prokuroria Speciale këmbëngulin që pas marrjes së dokumentacionit zyrtar të marrin të gjithë librat e evidencës. Ndërkohë që shpresojnë që informacionet në sistem mos të shkatërrohen, pasi ata s’mund t’i kontrollojnë hyrjet e DSK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *