Saturday , November 17 2018

Protestat në Rumani, Lubonja: Tek ne s’ka ndryshim, por prirje për të ikur

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar protestat masive në Bukuresht të Rumanisë, ku kërkojnë largimin e qeverisë për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit në vend. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’, Lubonja komentoi edhe një parrullë që qarkullon në rrjetet sociale ‘Ne nuk jemi Shqipëri’, por në fakt lexon ‘nuk duam korrupsion, por duam drejtësi’.  Ai tha se në Rumani protestojnë kundër korrupsionit, ndërsa në Shqipëri jo.

“Ajo fotografia ‘nuk jemi Shqipëri’ interpretohet si një auto ironi nga ndonjë shqiptar për të thënë se ata protestojnë dhe ne nuk protestojmë. Parulla origjinale është ‘nuk duam korrupsion, por duam drejtësi’. Tek ne nuk protestojnë kundër korrupsionit. E kam të vështirë të imagjinoj që të mblidhen politikanët në periferi të Bukureshtit siç mblidhen politikanët në vilat luksoze në periferi të Tiranës dhe të pyeten se si i kanë bërë këto vila.  Atje nuk ka makina luksoze ‘Range Rover’”- tha Lubonja.
Fatos Lubonja bëri edhe një krahasim mes rolit të diasporës në Rumani dhe asaj në Shqipëri. Ai tha se në diaspora jonë vjen dhe mbështet kryeministrin, ndërsa në Bukuresht kanë shkuar rumunë nga të gjitha vendet për të protestuar.
“Diaspora jonë vjen dhe mbështet kryeministrin. Ne s’kemi parë të vijnë nga diaspora dhe të organizohen nga rrjetet sociale për të protestuar kundër korrupsionit.  Mbështetje politike mund të ketë, por korrupsioni në Rumani është motivues i protestës. Kur u fut Rumania në BE shumë eksponentë të BE thanë se bëmë gabim sepse atje ka  korrupsion. Tek ne nuk ka prirje për ndryshim, por për të ikur. Ne më shumë na bashkon Skënderbeu apo kombëtarja sesa për problemet që kemi për të ndryshuar kushtet ku jemi”- tha Lubonja.
Për publicistin Fatos Lubonja, reforma në drejtësi nuk kap politikanët dhe zyrtarët e mëdhenj të cilët nuk kanë peshën e përgjegjësisë për popullin që po vuan, por shohin interesin e tyre.
“Nuk mjafton reforma në drejtësi, pasi kjo reformë nuk i kap ata të mëdhenjtë. Peshku i madh e ha të voglin. Ne kemi një klasë politike që nuk ndjen peshën e përgjegjësisë. Këta shikojnë interesat e tyre dhe nuk duan tja dinë që një popull po vuan. Emigrantët tanë më shumë janë me qeverinë”, tha Lubonja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.